Korrik 01, 2020 22:13 Europe/Tirane
  • Ruhani në bisedë me Putin dhe Erdogan: Mbështetja e Teheranit për Damaskun është e palëkundur

Presidenti iranian Hasan Ruhani i ka denoncuar si çnjerëzore sanksionet e SHBA kundër Sirisë, ndërsa premtoi mbështetjen e palëkundur të Teheranit për Damaskun.

"Në përputhje me sanksionet e mëparshme dhe përpjekjet e tij të dëshpëruara për të bërë presion mbi popullin sirian, regjimi amerikan ka imponuar mbi Sirinë sanksione të reja të njëanshme dhe çnjerëzore, të njohura si ligji Cezar, me qëllim të arritjes së qëllimeve të tij jolegjitime politike", tha Ruhani në një konferencë virtuale me homologët e tij rus dhe turk, Vladimir Putin dhe Rexhep Tajip Erdogan, të Mërkurën si pjesë e takimit të Astanasë për situatën në Siri, raportoi IRNA. Ruhani tha se sanksionet amerikane erdhën ndërsa populli sirian, ashtu si pjesa tjetër e botës po përballet me pandeminë e koronavirusit, e cila ka krijuar probleme të shumta shëndetësore dhe ekonomike në vend, prandaj nevojitet qasje në artikuj mjekësorë dhe farmaceutikë për të luftuar virusin dhe për të lehtësuar vuajtjet e popullit sirian. "Veprimi i regjimit amerikan është terrorizëm ekonomik që shkel ligjin ndërkombëtar, të drejtat e njeriut, dhe sovranitetin e kombeve," shtoi ai. Presidenti iranian tha se ndërsa dënon çdo sanksion ndaj çdo kombi në botë, veçanërisht Sirisë, Republika Islamike e Iranit thekson se do të vazhdojë të mbështesë popullin sirian dhe qeverinë e tij legjitime me forcë më të madhe, dhe se veprimet e paligjshme dhe çnjerëzore nga SHBA nuk do të dëmtojë vullnetin e vendeve mike dhe aleate të Sirisë për të mbështetur Damaskun. "Shtetet e Bashkuara duhet të sigurohen që atë që nuk e kanë arritur përmes presionit ushtarak dhe përdorimit të grupeve terroriste nuk mund ta arrijnë përmes mjeteve të presionit ekonomik dhe ndëshkimit të popullit sirian," shtoi Ruhani. Duke e përshkruar procesin e Astanasë si e vetmja mënyrë e zbatueshme për të ndihmuar në zgjidhjen paqësore të krizës siriane, Ruhani tha se Irani, Rusia dhe Turqia, si vendet garantuese të procesit të Astanasë, mbështesin gjithnjë dialogun sirian-sirian në kuadër të marrëveshjeve të arritura në procesin e Astanasë, dhe theksoi vendosmërinë e tyre për të luftuar grupet terrorriste ISIS dhe al-Kaeda dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tyre në të gjithë rajonin, përfshirë Sirinë. Ai gjithashtu hodhi poshtë pretendimin e përpjekjeve kundër terrorizmit të SHBA, e cila vrau gjeneral-lejtnant Kasem Soleimanin, një nga komandantët kryesorë në vijën e parë të frontit të luftës kundër terrorizmit. "Amerika që pretendon se po lufton terrorizmin, martirizoi heroin e luftës kundër terrorizmit në rajon, së bashku me shokët e tij ... ky është tregues i pretendimit të rremë të regjimit amerikan për luftën kundër terrorizmit," tha ai. Presidenti rus, nga ana e tij, u tha homologëve të tij nga Turqia dhe Irani se kishte nevojë për dialog paqësor midis palëve ndërluftuese në Siri. "Një dialog gjithëpërfshirës ndër-sirian duhet të promovohet në mënyrë aktive në kuadrin e komitetit kushtetues në Gjenevë. Unë propozoj të mbështesim këtë proces, të ndihmojmë pjesëmarrësit të takohen dhe të fillojnë një dialog të drejtpërdrejtë, "deklaroi Putin. Ai gjithashtu tha se pikat e nxehta të terrorizmit mbeten ende në Idlib dhe rajone të tjera të Sirisë. Në këtë video-konferencë presidenti Erdogan tha se përparësia për Sirinë është një zgjidhje e qëndrueshme e konfliktit, "arritje e qetësisë në terren dhe mbrojtja e unitetit politik dhe e integritetit territorial të Sirisë". "Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi në mënyrë që fqinji ynë, Siria, të gjejë paqe, siguri dhe stabilitet së shpejti," deklaroi presidenti turk.

 

Tags

Komente