Korrik 04, 2020 22:47 Europe/Tirane
  • Irani do të eksportojë armë pas përfundimit të embargos

Raketat, luftanijet, nëndetëset dhe dronët iranianë janë gati të garojnë me prodhuesit e huaj në fund të embargos së armëve të imponuar nga Shtetet e Bashkuara mbi Iranin. Një krenari tjetër kombëtare në tregun botëror: sistemet e mbrojtjes ajrore.

 

Raketat

Sektori i raketave është një nga sektorët më të rëndësishëm të zhvilluar nga Irani, pas fitores së Revolucionit Islamik. Nevoja për të prodhuar raketa lindi gjatë luftës së imponuar Irak-Iran. Irani tani është një prodhues i madh në botë i raketave cruise, raketave balistike dhe raketave precize. Ai ka zhvilluar me sukses industrinë e tij balistike dhe mund të eksportojë raketa të sofistikuara jashtë vendit. Shahab, Fateh-110, Kiam, Zelzal, Fateh-313, Zylfiqar, Hormuz, Ghadr, Emad, Saxhil, Khorramshahr, Dezful, Fateh Mobin dhe Raad-500 janë raketat balistike të gatshme për tu eksportuar. Ndër raketat cruise figurojnë Hoveizeh, Nasr dhe Kased-3.

Luftanijet

Ndërsa Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Rusia janë liderët në prodhimin dhe shitjen e pajisjeve detare dhe kanë një klientelë të larmishme në të gjithë botën, Irani nga ana e tij ka ecur në rrugën e vet dhe ka gjetur klientelën e vet. Dizajnimi dhe ndërtimi i nëndetëseve në Iran është relativisht i vonshëm. Në një periudhë të shkurtër, industria iraniane e mbrojtjes ka arritur të prodhojë lokalisht dy nëndetëse të quajtura Ghadir dhe Fateh. Ato secila kanë karakteristikat e veta dhe janë në gjendje të konkurrojnë me modelet e huaja. Në fushën e luftanijeve sipërfaqësore, Irani ka bërë përparim spektakolar. Destrojerët e rinj Sahand, Xhamaran dhe Damavand janë të aftë të kryejnë misione sipërfaqësore, anti-nëndetëse dhe anti-ajrore. Destrojeri Sahand mund të transportojë helikopterë dhe të lundrojë me shpejtësi të lartë. Fregatat Zylfiqar, Zol-Xhennah, Seraxh dhe Shahid Nazeri janë kartat fituese në arenën detare.

Dronët

Pas fundit të embargos, Irani do të paraqesë dronët e tij në tregjet botërore. Sipas gjeneralit Amir-Ali Haxhizadeh, komandant i forcës ajrore të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Irani është sot fuqia kryesore rajonale dhe një nga katër vendet e para në botë në renditjen e eksporteve. Duke pasur parasysh përdorimet e tyre të shumta në ushtri, si dhe në fushën shkencore, dronët iranianë nuk do ta kenë problem të gjejnë klientë të mundshëm. Dronët Shahed, Mohaxher, Ababil, Kaman-12, Khodkar dhe Kerrar, secili ka avantazhe specifike.

Sistemet e mbrojtjes ajrore

Përparimet e jashtëzakonshme në projektimin dhe prodhimin e aeroplanëve, bombarduesve dhe dronëve ilustrojnë efikasitetin e lartë të sistemeve iraniane të mbrojtjes ajrore dhe radarëve. Kjo industri është një nga më të sofistikuarat dhe më të njohurat në botë. Sistemet e mbrojtjes ajrore të Iranit janë të pajisura me radarë që zbulojnë aeroplanët armiq në të gjithë hapësirën ajrore të vendit. Nën peshën e një regjimi të sanksioneve drakoniane që prekin veçanërisht sektorin e mbrojtjes, Irani Islamik është detyruar të rinovojë ose rindërtojë modele të huaja. Për habinë e të gjithëve, shkatërrimi i dronit super-modern amerikan MQ-4 nga sistemi iranian i mbrojtjes 3 Khordad i ka dëshmuar të gjithë botës aftësitë dhe njohuritë e Iranit. Irani ka treguar që prodhimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore nuk është më fusha ekskluzive e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Ai tani është pjesë e klubit privat të prodhuesve të sistemeve të mbrojtjes ajrore. Irani ka një larmi sistemesh të mbrojtjes ajrore me rreze të ndryshme që mund të plotësojnë nevojat e vendeve të tjera: Bavar-373, Khordad-3, Tabas, Kamin-2, Sajad dhe Talash.

 

Tags

Komente