Gusht 13, 2020 08:13 Europe/Tirane
  • Paralajmërimet e presidentit iranian

Presidenti i Republikës Islamike të Iranit tha: "Rezoluta e propozuar nga amerikanët në Këshillin e Sigurimit të KB është një shkelje e Rezolutës 2231 të Këshillit të Sigurimit të KB dhe të gjitha vendet, veçanërisht palët në Këshillin e Sigurimit të KB, duhet ta kundërshtojnë atë."

Presidenti i Republikës Islamike të Iranit ka këshilluar homologun e tij francez që të mos bjerë në kurthin e amerikanëve. Në një kontakt telefonik të vendosur nga Emmanuel Macron të Mërkurën, 12 Gusht, Presidenti iranian Hasan Ruhani tha se Evropa nuk duhet të influencohet dhe të mashtrohet nga Shtetet e Bashkuara. "Rezoluta 2231 e Këshillit të Sigurimit do të lejojë heqjen e embargos së armëve kundër Iranit nga 18 tetori dhe nëse Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të veprojnë ndryshe, do ta shkelin këtë rezolutë," tha Ruhani. "Të gjithë nënshkruesit e marrëveshjes bërthamore duhet të respektojnë këtë dokument, si dhe Rezolutën 2231, dhe pritet të zhvillohen konsultime të hollësishme midis Iranit, tre vendeve evropiane, Rusisë dhe Kinës në mënyrë që të parandalohen kundërshtarët e marrëveshjes bërthamore të arrijnë qëllimet e tyre", tha Presidenti iranian. Hasan Ruhani shtoi se "Shtetet e Bashkuara nuk kishin të drejtë të shfrytëzonin asnjë mekanizëm të marrëveshjes bërthamore, duke pasur parasysh tërheqjen e tyre nga marrëveshja bërthamore më shumë se dy vjet më parë". Presidenti Ruhani më pas falënderoi homologun e tij francez për ftesën që i bëri Iranit për t'u bashkuar me një grup ndërkombëtar të ngarkuar me ndihmën për të zgjidhur problemet e Libanit. Nga ana e tij, presidenti francez përsëriti nevojën për të respektuar marrëveshjen bërthamore, duke theksuar se Franca nuk ka të njëjtin mendim si Shtetet e Bashkuara për rinovimin e embargos së armëve. "Kjo është ajo që u thamë atyre në mënyrë të qartë," përsëriti ai. Emmanuel Macron tha se Franca po merrte masa për t'i dhënë një forcë sistemit financiar Iran-Evropë. Ai gjithashtu i bëri thirrje Iranit të ndihmojë Libanin për të zgjidhur krizën e tij politike. Me afrimin e datës për heqjen e embargos së armatimeve kundër Iranit sipas rezolutës 2231 të KS të OKB, Amerika ka shtuar përpjekjet e saj për të penguar heqjen e kësaj embargoje. Donald Trump president i Amerikës më 8 Maj 2018 tërhoqi në formë të njëanshme Uashingtonin nga marrëveshja bërthamore që është një marrëveshje ndërkombëtare dhe vendosi rikthimin e sanksioneve bërthamore kundër Iranit. Ky veprim i Donald Trump është dënuar si nga faktori vendas ashtu edhe ai ndërkombëtar.  Irani në përgjigje të veprimeve të jashtëligjshme të Amerikës dhe mos reagimit konkret të vendeve të tjera nënshkruese të kësaj marrëveshjeje ka pezulluar një pjesë të zotimeve të tij në kuadër të marrëveshjes bërthamore.  Irani më 8 maj 2019, njëkohësisht me përvjetorin e tërheqjes së jashtëligjshme të Amerikës nga marrëveshja bërthamore dhe në reagim ndaj moszbatimit të zotimeve nga pala evropiane, në përputhje me paragrafët 26 dhe 36 të marrëveshjes bërthamore mori vendim për uljen e zotimeve të tij në kuadër të kësaj marrëveshjeje. Në fazën e parë të uljes së zotimeve Irani ka shtuar nivelin e prodhimit të uraniumit të pasuruar ndërsa në fazën e dytë Irani njoftoi ngritjen e gradës së pasurimit të uraniumit, vendim që u mor pas 60 ditësh që Irani i kishte dhënë afat Evropës për zbatimin e zotimeve të saj. Kohët e fundit qeveria amerikane mes anëtarëve të KS të OKB ka shpërndarë një projekt-rezolutë ku kërkon ndalimin e heqjes së embargos së armatimeve kundër Iranit. Kjo është në kohën kur miratimi i kësaj projekt-rezolute ka nevojë për votën e 9 anëtarëve të KS të OKB dhe mospërdorimin e veto-s nga ana e Rusisë dhe Kinës. Embargoja e armatimeve kundër Iranit sipas rezolutës 2231 të KS të OKB do të hiqet në tetor të vitit 2020.

Tags

Komente