Sep 21, 2019 09:05 Europe/Tirane
  • SHBA dërgojnë më shumë trupa ushtarake në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe

Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të dërgojnë trupa në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për të forcuar mbrojtjen ajrore të Riadit pas një sulmi të fundit me dron në dy objekte të mëdha nafte në pronësi të gjigantit shtetëror saudit Aramco.

Vendimi për të dërguar përforcime në rajon, i cili u miratua nga Presidenti Donald Trump të Premten, u mor me kërkesë të Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, sipas Departamentit të Mbrojtjes së SHBA. Pentagoni tha se dislokimi do të përfshinte një numër të moderuar trupash që i quajti kryesisht të "natyrës mbrojtëse". "Në përgjigje të kërkesës së mbretërisë saudite, presidenti ka aprovuar vendosjen e forcave amerikane, të cilat do të jenë të natyrës mbrojtëse dhe kryesisht të përqendruara në mbrojtjen ajrore dhe raketore," tha Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, Mark Esper në një konferencë shtypi. "Ne gjithashtu do të punojmë për të përshpejtuar dërgimin e pajisjeve ushtarake në mbretërinë e Arabisë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për të rritur aftësinë e tyre për t'u mbrojtur", shtoi ai. Ndërkohë, Gjenerali amerikan Joseph Dunford, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, tha se zyrtarët ishin ende në proces të vendosjes se cili është niveli më i mirë i aftësive për të mbrojtur Arabinë Saudite.

 

Tags

Komente