Nov 14, 2019 19:52 Europe/Tirane
  • Asad: Lufta përfundon vetëm kur terrorizmi të asgjësohet

Presidenti sirian Bashar al-Asad ka përshëndetur mbështetjen e palëkundur të Iranit për luftën e vendit të tij kundër komploteve të armiqve që nxisin pasiguri dhe paqëndrueshmëri në Siri dhe në të gjithë rajonin, duke thënë se lufta do të përfundojë vetëm përmes zhdukjes së terrorizmit.

Presidenti Asad e bëri këtë deklaratë të enjten në Damask, në një takim me një delegacion parlamentar iranian, të kryesuar nga Kryetari i Komisionit të Parlamentit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikë të Jashtme, Moxhtaba Zonuri. "Ata po përpiqen të pretendojnë se është e mundur t'i jepet fund luftës përmes komitetit kushtetues, por kjo nuk është e vërtetë," tha Presidenti sirian duke shtuar: "Lufta nuk shpërtheu për shkak të ndryshimeve mbi kushtetutën, por ajo filloi kur terrorizmi filloi të vriste dhe të shkatërronte". Presidenti Asad theksoi se angazhimi i Frontit të Rezistencës ndaj parimeve të pandryshueshme është një nga faktorët më të rëndësishëm të fuqisë së tij në fushatën kundër terrorizmit. Parlamentari i lartë iranian, nga ana e tij, tha se Teherani dhe Damasku gëzojnë marrëdhënie me rrënjë të thella dhe po luftojnë kundër një armiku të përbashkët. Zonuri shtoi se Irani dhe Siria janë në vijën e parë të luftës kundër regjimit okupues të Izraelit, duke thënë: "Irani do të mbrojë fuqimisht interesat e tij dhe ato të aleatëve të tij në rajon". Ai tha se Teherani mirëpret zgjerimin e tregtisë dhe shkëmbimeve ekonomike me Damaskun, duke theksuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit gjithëpërfshirës në sektorin ekonomik në mënyrë që kompanitë iraniane të rindërtojnë infrastrukturën e Sirisë.

 

Tags

Komente