Nov 19, 2019 20:00 Europe/Tirane
  • Galile goditet nga raketat siriane?

Sipas kanalit televiziv libanez Al-Mayadeen, katër shpërthime u dëgjuan pranë kryeqytetit sirian, Damask, të martën në mëngjes.

Shpërthimet ndodhën afër Aeroportit Ndërkombëtar të Damaskut. Sipas agjencisë SANA, katër raketa izraelite synuan pjesën ushtarake të aeroportit të Damaskut, që ndodhet në periferinë lindore të qytetit. Mbrojtja ajrore siriane u aktivizua menjëherë duke qëlluar raketat që dukej se ishin lëshuar nga rajoni Xhebel al-Sheikh, i cili është në kufirin midis Sirisë dhe Libanit. Pak më herët, Izraeli kishte raportuar sirena alarmi që u aktivizuan në vendbanimet e Golanit të okupuar dhe në rajonin Galile në veri të Izraelit. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Avichai Adrai njoftoi se katër raketa ishin qëlluar nga jugu i Sirisë kundër Izraelit verior dhe se Kupola e Hekurt i kishte interceptuar raketat që nuk shkaktuan dëme ose viktima. Sajti i ushtrisë izraelite DEBKAfile, i cili raporton për shkëmbimin e raketave të së martës midis Izraelit dhe Damaskut, thotë se nuk është në gjendje të konfirmojë se kush qëlloi i pari. Sidoqoftë ai supozon se katër raketat që u qëlluan në Galile mund të shënonin një përgjigje të parë "të menjëhershme" nga Rezistenca ndaj një sulmi izraelit në aeroportin e Damaskut. Ky zhvillim ndodhi pasi Izraeli zhvilloi një stërvitje tokësore në Galile dhe kësaj stërvitje i paraprinë manovra të mëdha ajrore të quajtura "Flamuri blu 2019", të cilat përfshinin përveç Izraelit, edhe Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete evropiane. Gjatë këtyre manovrave, Forcat Ajrore izraelite u përpoqën të gjejnë mënyra për të neutralizuar bateritë e raketave të sofistikuara duke përfshirë sistemet ruse S-300 dhe S-400 dhe kështu të depërtojnë në zonën kufitare mes Sirisë dhe Libanit.

 

Tags

Komente