Shkurt 18, 2020 16:07 Europe/Tirane
  • Një afrim befasues siriano-saudit me qëllim boshtin turko-kataras

Pse diplomacia saudite feston me "fajkoin" Al-Xha'feri dhe i shtron atij tapetin e kuq në Kombet e Bashkuara? Cili është hapi tjetër...? Një takim në Riad apo në Damask?

Që z. Abdullah al-Mualimi, përfaqësuesi i përhershëm i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Kombet e Bashkuara, të kujdeset për ftesën që i ka bërë homologut të tij sirian Dr. Bashar al-Xha'feri për të marrë pjesë në ceremoninë e pritjes që organizoi ky i pari për nder të ministrit saudit Fahd bin Abdullah Al-Mubarak me rastin e përgatitjes që po bën vendi i tij për organizimin e Samitit të G20-ës, ky është fillimi i një "revolucioni" në politikën saudite kundrejt Sirisë. Dhe, që Dr. al-Xha'fari t'i përgjigjet kësaj ftese, si dhe që të kujdesen nikoqirët sauditë - d.m.th. ambasadori dhe ministri - për t'i uruar mirëseardhjen në mënyrë të jashtëzakonshme, duke shprehur dashurinë e tyre për Sirinë, kjo do të thotë që ky përparim diplomatik nuk është rastësi. Përkundrazi, ai erdhi në kontekstin e një orientimi përqasës e të studiuar saudit kundrejt Sirisë dhe si një përpjekje për të mbyllur faqen e dallimeve midis dy vendeve, mbase edhe për të filluar një faqe të re "aleance".

Në Arabinë Saudite nuk ndodh asnjë veprim diplomatik, posaçërisht drejt një shteti arab në përmasat e Sirisë dhe në kushtet e saj aktuale, pa ardhur nga autoritetet më të larta në vend dhe pas një studimi të thelluar dhe një shqyrtimi gjithëpërfshirës të të gjitha politikave e rrethanave kombëtare e ndërkombëtare. Ne nuk e përjashtojmë mundësinë që institucioni vendimmarrës saudit të synojë thyerjen e bllokadës diplomatike dhe politike që po përjeton duke u hapur me Sirinë, si një prelud për t'u angazhuar në një aleancë që qëndron përballë aleancës tjetër katarase-turke, veçanërisht pasi përparimi i përkohshëm në marrëdhëniet saudite-katarase - që konsistonte në vizitën sekrete që zhvilloi në Riad Sheikh Muhamed bin Abdul-Rahman, ministri i Punëve të Jashtme të Katarit, vizitë të cilën e pasoi një armëpushim mediatik - është shembur dhe mosmarrëveshja kataro-saudite është rikthyer në gjendjen e mëparshme; po ashtu edhe kanali Al-Jazeera dhe tentakulat e tjera mediatike katarase kanë rinisur kritikat e tyre ndaj Mbretërisë dhe politikave të saj gjatë ditëve të fundit.

Ndoshta emëruesi i përbashkët midis palës siriane dhe homologes së saj saudite konsiston në politikën e mesazheve dhe enigmave diplomatike dhe në kujdesin e tepruar e këmbëngulës ndaj konspiracioneve hermetike, pavarësisht mosmarrëveshjeve të shumta të tyre të fundit të mbushura me hakmarrje, por ato shkrihen përkohësisht përpara armiqësisë me Katarin dhe aleatin e tij, Turqinë. Pas një heshtjeje të gjatë, u surprizuam me Dr. Al-Xha'fari para dy javësh, tek ndërmori një sulm të ashpër të paparë kundër dy homologëve të tij - atij turk dhe kataras - në Kombet e Bashkuara, duke akuzuar "regjimin e Katarit" për mbështetjen e terrorizmit dhe shpenzimin e miliarda dollarëve brenda Organizatës Ndërkombëtare për "blerjen e ndërgjegjjeve" në këmbim të heshtjes për sponsorizimin që i bën (regjimi i Katarit) terrorizmit. Al-Xh'afari deklaroi para Asamblesë së Përgjithshme se akuza e qartë për mbështetjen që i bën terrorizmit regjimi i Katarit dhe regjimi turk erdhi nga kryeministri kataras Sheik Hamad bin Xhabr Al-Thani, i cili u shfaq në ekranin televiziv të vendit të tij duke thënë: "Katari, Arabia Saudite dhe Turqia shpenzuan 173 miliardë dollarë për të minuar qeverinë legjitime në Siri", dhe theksoi se "regjimi i Katarit beson se është imun nga ndëshkimi që po vjen dhe është i gabuar, sepse ne do ta ndëshkojmë atë ... dhe Dita e Llogaridhënies është duke ardhur."

Ne nuk e dimë në këtë gazetë, "Ra'jul-jeum" ("Opinioni i sotëm") se si do të përparojë ky flirt saudito-sirian dhe se ku do të arrijë. Kalkulimi ynë këtu rrjedh nga një takim që u zhvillua në Xheddah midis princit Muhamed bin Selman, Princit të Kurorës Saudite dhe gjeneral-majorit Ali al-Mamluk, zyrtari më i lartë i sigurisë në Siri, nën kujdesin rus e të Vladimir Putin personalisht tri vjet më parë, por që nuk prodhoi asnjë afrim të vërtetë në atë kohë. Porse ne nuk e përjashtojmë që ky zhvillim i ri - i cili është gjithashtu nën kujdesin rus - mund të jetë i ndryshëm, sepse kushtet kanë ndryshuar dhe të dy palët, pala saudite dhe ajo siriane, kanë nevojë për njëra-tjetrën dhe i bashkon i njëjti armik: ai është aleanca turko-katarase. Siria ka nevojë për paratë saudite me fillimin e fazës së rindërtimit dhe Arabia Saudite ka nevojë për thellësinë [e territorit] arab sirian nën dritën e marrëdhënieve të tensionuara me Iranin, humbjen e luftës në Jemen dhe dështimin e shumicës së "basteve" për mbrojtjen amerikane.

Rëndësia e këtij përparimi diplomatik saudito-sirian në Kombet e Bashkuara nuk duhet të nënvlerësohet, veçanërisht pasi erdhi pas një përparimi të ngjashëm emiratas-sirian dhe lëvdatave që i bëri i ngarkuari me punë (Charge d'Affaires) emiratas urtësisë së presidentit Al-Asad, përfshirjes ushtarake turke në Libi dhe përshkallëzimit të tensionit përsëri midis Iranit dhe Amerikës në rajonin e Gjirit Persik. Në dritën e rikuperimit sirian, konkurrencës për zemrën e Damaskut nga shumë anë dhe takimit të paralajmëruar të sigurisë në nivelet më të larta midis gjeneral-major Ali al-Mamluk dhe homologut të tij turk Hakan Fidan në Moskë një javë më parë, të gjitha këto janë indikacione që vërtetojnë se roli sirian po kthehet, madje edhe fuqishëm. Prisni shumë surpriza në ditët e ardhshme, jo më se pak rikthimi i Damaskut në karrigen e saj në Ligën Arabe, çmontimin final të lidhjes saudite me opozitën siriane, disa nga trupat e së cilës po luftojnë kundër Khalifa Haftar - aleatit të Arabisë Saudite në Libi - me një mbështetje turke të hapur. I Lartësuar është Ndryshuesi i gjendjes!

 

*Redaksional i publikuar më 21 janar 2020 në gazetën elektronike "Ra'jul Jeum".


 

 

Tags

Komente