Mars 28, 2020 19:23 Europe/Tirane
  • Emiratet pranojnë disfatën përballë Sirisë?

Pas një bisede telefonike të Princit të Kurorës së Abu Dhabit me Presidentin sirian, burime diplomatike arabe sugjeruan se kjo bisedë telefonike, e cila është e para që nga fillimi i konfliktit në Siri në vitin 2011, dëshmon dështimin e planit të izolimit të Sirisë.

Princi i Kurorës së Abu Dhabit, Mohamed bin Zayed Al Nahyan pati një bisedë telefonike të Premten në 27 Mars me Presidentin Sirian Bashar al-Asad, pasi Ushtria Siriane është në prag të fitimit të një lufte kundër grupeve terroriste të mbështetur nga fuqitë e huaja. Në një mesazh të postuar në llogarinë e tij në Twitter, ben Zayed tha se kishte diskutuar me Presidentin sirian (...) zhvillimet e fundit që lidhen me sëmundjen COVID-19. Ai gjithashtu u zotua të mbështesë Sirinë kundër pandemisë. Sipas burimeve diplomatike arabe të cituara nga faqja libaneze e lajmeve Al-Ahed, intervista telefonike e princit të kurorës së Abu Dhabit me Presidentin sirian është dëshmi për dështimin e planit të izolimit të Sirisë. Edhe palët e tjera arabe dhe jo-arabe do të zhvillojnë kontakte me Damaskun në të ardhmen, thanë këto burime. Thirrja telefonike e së Premtes do të ishte kontakti i parë i pasqyruar në media midis një lideri arab dhe Asadit që kur Siria u zhyt në një luftë të vazhdueshme të imponuar nga jashtë në vitin 2011. Emiratet e Bashkuara Arabe prej kohësh kanë mbështetur terroristët kundër Damaskut të cilët po luftojnë për rrëzimin e qeverisë siriane. Sidoqoftë, në rrjedhën e tanishme të ngjarjeve në të cilën lufta në Siri po merr fund dhe Ushtria Siriane po merr nën kontroll rajone që më parë ishin të pushtuara nga grupe të ndryshme terroriste, aleancat po ndryshojnë. Ushtria Siriane tani është e angazhuar në një operacion për çlirimin e provincës Idlib, rajoni i fundit i madh i vendit akoma i okupuar nga terroristët. Ndihma e propozuar e Emirateve të Bashkuara për Sirinë vjen në një kontekst ku pandemia COVID-19 po fillon të godasë rëndë Emiratet, veçanërisht Dubain, një nga qytetet më të vizituar në botë; disa hotele janë mbyllur dhe tarifat e prenotimit po bien në më pak se 10%. Kompania ajrore Fly Emirates në pronësi të shtetit, e cila raportoi një fitim prej 862 milion dirhemë (234,70 milion dollarë) në gjysmën e parë të vitit 2019, ka anuluar të gjitha fluturimet. "Në një skenar ku këto masa (për të luftuar virusin) zgjasin rreth tre deri në katër muaj ... kjo do të zvogëlonte PBB-në e Dubait me rreth 5 ose 6 përqind," thotë James Swanston nga Instituti Capital Ekonomics. Ai tha se Dubai është ekonomia e Lindjes së Mesme më e prekshme ndaj kufizimeve të udhëtimit të miratuara për të luftuar koronavirusin dhe se kompanitë shtetërore mund të detyrohen të ristrukturojnë borxhin e tyre ose të kërkojnë ndihmë nga Abu Dhabi, kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara Arabe. Barra e borxhit të Dubait është rreth 135 miliardë dollarë (125 përqind e PBB-së), gati gjysma e të cilave do të duhet të paguhet para fundit të vitit 2024, sipas Capital Economyics.

 

Tags

Komente