Shtator 27, 2020 09:07 Europe/Tirane
  • Propozimi I Trump për gjykatësin e Gjykatës së Lartë

Presidenti amerikan, Donald Trump, pritet të propozojë gjyqtaren Emi Koni Baret në Gjykatën e Lartë të vendit, vetëm disa javë para zgjedhjeve presidenciale. Demokratët kanë kërkuar që emërimi të shtyhet pas zgjedhjeve të 3 nëntorit.

 Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duket se e ka vendosur cila do të jetë anëtarja e ardhshme e Gjykatës së Lartë amerikane.  Kreu i shtetit pritet ta shpallet zyrtarisht kandidaten rreth orës 11 me kohën shqiptare, por mendohet se më e favorizuara për postin e përjetshëm është gjykatësja Emi Koni Baret.  48-vjeçarja u emërua nga presidenti Trump në vitin 2017 në një Gjykatë Apeli Qarku dhe njihet si mbrojtëse e fortë e vijës katolike dhe konservatore, që i shkojnë më për shtat Partisë Republikane e cila ka aktualisht pushtetin ekzekutiv të vendit.  Në listën e presidentit është edhe gjykatësja me prejardhje kubane, Barbara Lagoa, por ajo nuk shihet aq tradicionale sa 48-vjeçarja Baret në çështjet si aborti apo të drejtat e komunitetit LGBT.  “Zgjedhjen time do e zbuloj në orën 5 fiks në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë. Të gjithë personat që janë në listë janë njerëz të jashtëzakonshëm, në kuptimin akademik dhe në çdo mënyrë tjetër. Në kokën time e kam krijuar mendimin për dikë dhe do ta shpallim.”  Vakanca e krijuar pas ndarjes nga jeta të ish-gjyqtares 87-vjeçare, Ruth Bejdër Ginzbërg, ka hapur një debat të gjerë politik më pak se 40 ditë nga zgjedhjet e reja presidenciale.  Emërimi i gjykatëses së re do e çonte në tre numrin e anëtarëve të propozuar nga republikanët brenda këtij mandati, ndaj kundërshtarët politikë druhen se kjo do i japë epërsi vendimmarrëse Gjykatës në dëm të opozitës.  Demokratët kanë bërë thirrje që anëtari i ri i Gjykatës Supreme të emërohet pas zgjedhjeve të 3 nëntorit nga cilido president që do i fitojë ato.  Sondazhet e ndryshme tregojnë se ish-zv.presidenti demokrat, Xho Bajdën, vazhdon të ruajë një avantazh të lehtë përballë rivalit republikan, Donald Trump, i cili garon për mandatin e dytë në zyrën ovale.

Tags

Komente