Shtator 27, 2020 20:05 Europe/Tirane
  • Gjendje lufte në Kaukaz, Turqia zotohet për mbështetje për Azerbajxhanin pas përplasjeve me Armeninë, BE kërkon bisedime

Turqia ka kritikuar ashpër Armeninë pas përplasjeve me Azerbajxhanin për rajonin e shkëputur të Nagorni-Karabakut, ndërsa Bashkimi Evropian bëri thirrje për një ndalje të luftimeve midis të dy palëve.

Në një deklaratë të Dielën, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u bëri thirrje armenasve të ngrihen kundër udhëheqësve të cilët "po i tërhiqnin ata drejt katastrofës". Ai tha se reagimi ndërkombëtar ndaj konfliktit kishte qenë i pamjaftueshëm. Turqia i bën thirrje "të gjithë botës të qëndrojë me Azerbajxhanin në betejën e tij kundër pushtimit dhe mizorisë," tha Erdogan. Ministria e mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se Armenia kishte sulmuar vendbanimet civile dhe pozicionet ushtarake përgjatë "vijës së kontaktit", një tokë e zbrazët e minuar rëndë që ndan forcat e mbështetura nga Armenët nga trupat Azere në rajon. Ministria tha se disa civilë ishin vrarë "si rezultat i bombardimeve intensive" nga Armenia dhe se Azerbajxhani kishte marrë masa hakmarrëse. Azerbajxhani tha se kishte "përparësi të plotë ndaj armikut në front". Autoritetet në Nagorni-Karabak thanë se 16 nga ushtarakët e tyre u vranë dhe më shumë se 100 u plagosën në përleshjet me forcat e Azerbajxhanit. Parlamenti i Azerbajxhanit gjithashtu miratoi ligjin ushtarak në të gjithë vendin dhe vendosi shtetrrethimin të Dielën. Kryeministri armen Nikol Pashinian në një deklaratë televizive tha të Dielën se armiku kryesor Azerbajxhani i kishte shpallur luftë popullit të tij. Pashinian tha se "regjimi autoritar i Azerbajxhanit edhe një herë i shpalli luftë popullit armen", duke shtuar: "Ne jemi në prag të një lufte në shkallë të plotë në Kaukazin e Jugut, e cila mund të ketë pasoja të paparashikueshme." Më vonë të Dielën, Presidenti rus Vladimir Putin bëri thirrje për de-përshkallëzim të tensioneve midis Azerbajxhanit dhe Armenisë pas shpërthimit të konfliktit ushtarak midis dy fqinjëve. "Është e rëndësishme të bëjmë çdo përpjekje për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës në konfrontim. Më e rëndësishmja, duhet t'i jepet fund luftimeve," tha Putin gjatë një telefonate me kryeministrin armen. Bashkimi Evropian bëri thirrje për një ndalje të luftimeve midis dy kundërshtarëve mbi rajonin e Nagorni-Karabakut dhe kërkoi negociata të menjëhershme. Në një postim në Twitter të Dielën, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel bëri thirrje për "një kthim të menjëhershëm në negociata, pa parakushte". "Aksioni ushtarak duhet të ndalet, si një çështje urgjente, për të parandaluar një përshkallëzim të mëtejshëm," tha Michel. Shefi i politikës së jashtme të BE Josep Borrell theksoi nevojën e fillimit të negociatave mbi rajonin e Nago-Karabakut. "Bashkimi Evropian bën thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të armiqësive, de-përshkallëzim dhe për respektim të rreptë të armëpushimit," tha ai. Një konflikt madhor midis Azerbajxhanit dhe Armenisë mund të tërheqë lojtarët kryesorë rajonalë Rusinë dhe Turqinë. Rusia, e cila mban lidhje të ngushta me Armeninë, udhëheq aleancën ushtarake të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive të vendeve ish-Sovjetike që përfshin Armeninë. Jerevani mbështetet në përkrahjen dhe garancitë ushtarake ruse, sepse buxheti i tij i mbrojtjes është nën nivelin e shpenzimeve ushtarake të Azerbajxhanit.

 

Tags

Komente