Shtator 30, 2020 19:48 Europe/Tirane
  • Franca dhe Turqia përplasen për Nagorni Karabakun

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i dënoi ato që ai i quajti deklarata “të pamatura dhe të rrezikshme” të Turqisë për situatën në rajonin e Nagorni Karabakut.

Turqia në anën tjetër, akuzoi Macronin për mbështetjen e “okupimit” të rajonit nga Armenia. “Franca mbetet jashtëzakonisht e shqetësuar për komentet luftarake që Turqia bëri së fundi. Këtë nuk do ta pranojmë”, tha Macron. Ai gjithashtu tregoi mbështetje për Armeninë. “Unë u them Armenisë dhe armenëve, Franca do të luajë rolin e saj”, tha Macron. Turqia e shikon Azerbajxhanin me shumicë myslimane, si aleatin e saj të ngushtë dhe Armeninë e krishterë si armikun e saj historik. Dhjetëra persona janë raportuar të vrarë dhe qindra të plagosur që kur përleshjet midis forcave azere dhe armene shpërthyen të dielën në luftimet më të ashpra që nga vitet 1990. Të martën, Armenia akuzoi Turqinë për rrëzimin e një aeroplani luftarak armen. Por, Ankaraja i ka mohuar pretendimet. Nagorni Karabaku është vend malor, tokë kryesisht me pyje që ndodhet brenda territorit të ish-republikës sovjetike të Azerbajxhanit dhe ndërkombëtarisht është i njohur si pjesë e këtij shteti. Por, armenët etnikë që përbëjnë shumicën dërmuese të popullsisë prej 150,000 banorësh, e kundërshtojnë sundimin e Azerbajxhanit. Më ndihmën e Armenisë, ata qeverisin vetë qysh kur trupat ushtarake azere u dëbuan nga ky territor në luftën e viteve të 90-ta. Një armëpushim ishte arritur në vitin 1994, por të paktën 200 njerëz u vranë në shpërthimin e dhunës në vitin 2016. Rajoni i Nagorni Karabakut mbijeton pothuajse plotësisht nga mbështetja buxhetore nga Armenia dhe donacionet nga diaspora armene. Macron tha se do të diskutojë mbi tensionet në rajonin e Nagorko Karabakut me presidentin rus, Vladimir Putin dhe presidentin e SHBA-së, Donald Trump, para se të raportojë mbi situatën te liderët e Bashkimit Evropian. Turqia dhe Franca gjithashtu ka një sërë mosmarrëveshjesh në Mesdheun lindor të pasur me energji si dhe për situatën në Libi dhe pjesë tjera të Lindjes së Mesme. Ndërkohë, edhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara u ka bërë thirrje forcave armene dhe azere që “menjëherë të ndalojnë luftimet” mbi rajonin e shkëputur të Nagorni Karabakut. Një deklaratë e miratuar unanimisht nga këshilli prej 15 anëtarësh më 29 shtator gjithashtu shprehu mbështetje për thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres, që palët të de-përshkallëzojnë tensionet dhe të kthehen në negociata. Këshilli “shprehu shqetësim në lidhje me raportet e veprimeve ushtarake në shkallë të gjerë përgjatë Linjës së Kontaktit në zonën e konfliktit në Nagorni Karabak” dhe “dënon fuqimisht përdorimin e forcës”. Deklarata vjen derisa luftimet ngritën frikën e shpërthimit të një lufte të re, në shkallë të plotë midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Dhjetëra persona janë raportuar të vrarë dhe qindra të plagosur që kur përleshjet midis forcave azere dhe armene shpërthyen të dielën në luftimet më të ashpra që nga vitet 1990.

 

Tags

Komente