Tetor 01, 2020 16:05 Europe/Tirane
  • Kryeqyteti i Spanjës futet në karantinë

Qeveria spanjolle i ka ndaluar banorëve të Madridit daljen jashtë kryeqytetit pasi rajoni është kthyer në vatrën qendrore të infeksionit dhe po rrezikon përhapjen e koronavirusit në popullsi.

Me vendim qeverie, do të mbyllen kufijtë e kryebashkisë për ata që duan të dalin dhe të hyjnë në qytet pa një arsye të rëndësishme.

Banorët do mund të udhëtojnë në bashkitë e afërta për qëllime pune apo shkolle, për të kryer vizita te doktorët ose për pazar, por aktivitetet e tjera do duhet t’i kryejnë brenda qytetit.

Do mbyllen edhe parqet publike dhe këndet e lojërave, baret dhe restorantet duke nisur nga ora 11 e natës, dhe takimet do kufizohen për vetëm 6 persona.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se na presin javë të vështira, ndaj secili të përgatitet. Objektivi është ulja e lakores së infeksionit dhe mposhtja e virusit,” deklaroi ministri spanjoll i Shëndetësisë”

Opozita e cila kontrollon pushtetin rajonal të kryeqytetit, ka dalë kundër pushtetit qendror duke e cilësuar vendimin e qeverisë për izolim, ligjërisht të pavlefshëm dhe alarmues.

Kufizimet e reja kanë shqetësuar edhe banorët e bizneset.

“Jetoj vetëm dhe për mua parku është arsye e rëndësishme për të dalë. Mbyllja brenda na ul moralin, na bën të shohim më shumë rreziqe sesa ka vërtet, dhe nuk është pozitive.”

“Madridi është rajoni më i goditur në Spanjë dhe është e vërtetë që duhen masa, por mendoj se një izolim i dytë nuk do ishte efektiv ekonomikisht, po të shohësh të dhënat për GDP-në.”

“Mua më duket njësoj si ora 8 e darkës, si 10, si 12. Kovidi është mes nesh, ndaj t’i heqësh dy orë aktiviteteve private është e rëndë për ne.”

Tags

Komente