Tetor 19, 2020 20:12 Europe/Tirane
  • Trump dhe Biden vazhdojnë fushatën, në betejë për shtetet kyçe

Kur na ndajnë dy javë nga zgjedhjet presidenciale të ShBA-së, dy rivalët për Zyrën Ovale, Donald Trump dhe Joe Biden po përpiqen të marrin mbështetjen e zgjedhësve në shtetet kryesore dhe vendimtare për fitore.

Presidenti i tanishëm Donald Trump ishte në Nevada së fundi, shtet i cili nuk ka zgjedhur një republikan që prej vitit 2004. Ndërsa kandidati demokrat Joe Biden ishte gjatë fundjavës në Karolinën e Veriut ku fitorja e fundit e demokratëve ishte në 2008 kur president u zgjodh Barack Obama. “Tani është koha për t’i rikthyer shpirtin Amerikës. Është koha për të rindërtuar shtyllën kurrizore të Amerikës, klasën e mesme. Dhe kësaj here le të bashkohemi pavarësisht racës, moshës apo besimit fetar, gjinisë e kombësisë apo çdo gjëje që do të na çojë në fitore,” tha kandidati demokrat Biden. “Nëse votoni për Biden-in, ai do t’ua japë vendet e punës Kinës. Ai do ta izolojë sërish vendin, ai e do izolimin. Biden do të dëgjojë shkencëtarët. Sikur unë ta kisha bërë këtë, sot do të kishim një ekonomi në recension,” tha Trump. Ekipi zgjedhor i presidentit Trump synon të fitojë të gjitha shtetet që i dhanë fitore kreut të Shtëpisë së Bardhë në vitin 2016. Ai nuk ka luksin të humbë asnjë prej këtyre shteteve nëse synon të qëndrojë në Shtëpinë e Bardhë. Të enjten dy kandidatët Trump dhe Biden do të ndeshen në Nashville, Tennessee, për një debat televiziv që vjen pak pas të parit që ishte i mbushur plot me fyerje.

 

Tags

Komente