Tetor 19, 2020 20:13 Europe/Tirane
  • BE paralajmëron sanksione ndaj Ankarasë

Anija turke “Oruç Reis” vijon eksplorimet në brendësi të ujërave kontinentalë të Greqisë, pavarësisht qëndrimit të fqinjëve se po provokon rrezikshëm.

Studimet për hidrokarbure u shtrinë të dielën rreth 14 milje nga brigjet e ishullit grek Kastelorizo, nën shoqërinë e dy anijeve luftarake turke. “Është e qartë se kjo lëvizje e fundit është e motivuar politikisht dhe se Turqinë nuk e bren ndërgjegjja për rrezikun që po i kanos njerëzve. Veprimet e palës turke sërish do ndeshen me të drejtën ndërkombëtare, dhe dikur Turqia do duhet t’i dorëzohet asaj,” njoftoi Ministria e Jashtme greke. Greqia me mbështetjen e Bashkimit Europian ndan pikëpamjen se kërkimet për gaz dhe naftë në territoret e Mesdheut Lindor cenojnë sovranitetin e saj. Në një intervistë për gazetën greke, “Kathimerini”, kryediplomati gjerman, Hajko Mas, kujtoi se BE-ja i ka lënë Ankarasë muajin dhjetor si ultimatum për t’u tërhequr nga veprimet e njëanshme ose do të përballet me sanksionet. “Kur përdor një medikament, gjithmonë duhet lexuar për rreziqet dhe efektet anësore. Kjo vlen edhe për sanksionet. Ato janë pjesë e instrumenteve tona diplomatike por duhen përdorur me kujdes. Kjo do varet nga Turqia.” Athina po monitoron nga afër situatën dhe ka vënë në gatishmëri forcat e veta ushtarake nëse shkelet vija e kuqe prej 6 miljesh detare nga ishulli Kastelorizo, distancë që anija “Oruç Reis” pritet t’i afrohet në ditët në vijim.

 

Tags

Komente