Tetor 27, 2020 19:22 Europe/Tirane
  • Erdogan padit për fyerje politikanin holandez

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka paditur një nga opozitarët e ekstremit të djathtë holandez për qëndrimet e tij islamofobe dhe ksenofobe kundrejt myslimanëve.

Padia ndaj deputetit Geert Wilders u dorëzua të martën në prokurorinë turke me arsyen e fyerjes së kreut të shtetit. Përplasjet mes holandezit dhe presidentit Erdogan u provokuan në fundjavë nga vizatimi që Wilders shpërndau në rrjetin social Twitter ku kryeshtetari turk portretizohej me një kapele në formë bombe e cila mbante emrin e Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim. Wilders bashkëngjiti edhe tekstin “terrorist” për t’iu referuar presidentit Erdogan, pasi ky i fundit gjatë një aktiviteti politik e kishte quajtur pak orë më parë racist dhe fashist. “Pra njeriu që më quan fashist dhe që më herët ka quajtur tërë Holandën fashiste dhe mbeturinë të nazizmit, tani po më padit mua? Bota është përmbysur,” reagoi të martën politikani holandez. Wilders është deputet i partisë opozitare më të madhe në Holandë, që mban qëndrime ekstreme anti-islamike dhe nacionaliste, për të cilat është shpallur fajtor edhe nga gjykatat. Ndërkohë, diplomacia turke i ka dënuar komentet e tij që sipas Ankarasë janë të papërgjegjshme dhe shkojnë përkundër vlerave simbol të Europës. Konflikti me Turqinë prej ditësh ka marrë përmasa ndërkombëtare si pasojë e deklaratave të presidentit francez, Emanuel Makron, që e ka konsideruar fenë islame një fe në krizë e cila duhet reformuar. Një ditë më parë presidenti Erdogan apeloi popullin e tij të bojkotojnë produktet franceze në shenjë proteste dhe i sugjeroi homologut Makron të kryejë një kontroll mendor.

 

Tags

Komente