Janar 16, 2021 19:59 Europe/Tirane
  • Shtetet amerikane përgatiten për përballje me protesta para inaugurimit të Bidenit

Guvernatorët në mbarë Shtetet e Bashkuara po kërkojnë ndihmën e trupave të Gardës Kombëtare dhe po shpallin gjendje të jashtëzakonshme, teksa po bëhen gati për protesta në kryeqytetet e shteteve amerikane, përpara inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka paralajmëruar për dhunë të mundshme në të gjitha kryeqytetet e shteteve amerikane dhe ka thënë se ka gjurmuar “biseda shqetësuese online”, përfshirë edhe biseda ku bëhej thirrje për protesta të armatosura. Zyrtarët shtetërorë kanë zbatuar masa të sigurisë për të shmangur çdo lloj dhune, e tillë siç ndodhi më 6 janar në Uashington, ku protestues të dhunshëm, mbështetës të presidentit në largim, Donald Trump, sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan, me qëllim që të ndalonin certifikimin e fitores së Bidenit. Në këto protesta mbetën të vdekur pesë persona. Dhjetëra guvernatorë i kanë bërë thirrje Gardës Kombëtare që të mbrojë shtetet e tyre dhe të ndihmojë zyrtarë lokalë të sigurisë. Vendimet për të shtuar masat e sigurisë bazohen ose në madhësinë e protestave në të kaluarën ose në paralajmërimet e përgjithshme të lëshuara nga autoritetet. Disa guvernatorë kanë thënë se do të zbatojë masa vetëm për të qenë të kujdesshëm, pa pasur indikacione se mund të ketë protesta në ditët në vijim. Masat e mbylljes në Uashington kanë lënë zbraztë rrugët kryesore, që zakonshëm, janë të mbingarkuara. Një gardh i madh me gjemba është vendosur përgjatë ndërtesës së Kongresit. Kryetarja e Uashingtonit ka thënë se kushdo që do të gjendet brenda perimetrit të vendit ku do të mbahet inaugurimi i Bidenit, do të ndalohet dhe do të merret në pyetje nga zyrtarët. Edhe zona përreth Shtëpisë së Bardhë është mbyllur për qarkullim.

 

Tags