Janar 22, 2021 08:01 Europe/Tirane
  • Biden kërkon zgjatjen e traktatit START me Rusinë

Presidenti i SHBA Joe Biden do të kërkojë një zgjatje të Traktatit START me Rusinë, tha Shtëpia e Bardhë të enjten. Ky është një ndër vendimet e para madhore në politikën e jashtme nga administrata e re.

Traktati skadon në shkurt. “Presidenti është shprehur qartë prej kohësh se traktati është në interes të sigurisë kombëtare të SHBA. Zgjatja e tij është edhe më e logjikshme kur marrëdhëniet me Rusinë janë konfliktuale siç janë aktualisht,” tha Jen Psaki, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë në konferencën për shtyp. Psaki shtoi se presidenti ka udhëzuar komunitetin e zbulimit të bëjë një analizë të plotë të ndërhyrjes kibernetike në rrjetin e kompanisë Solar Winds, ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2020 si dhe përdorimin e një arme kimike ndaj aktivistit opozitar rus Alexei Navalni si dhe njoftimet për shpërblime të ofruara nga Moska për atentate kundër trupave amerikane në Afganistan. “Ndërkohë që vazhdojmë përpjekjet tona për të punuar me Rusinë për avancimin e interesave amerikane, duhet të vazhdojmë paralelisht të mbajmë përgjegjëse Rusinë për veprimet e saj të papërgjegjshme dhe kundërvënëse,” tha Psaki. Traktati për kontrollin e armëve, i cili skadon më 5 shkurt, kufizon deri në 1550 numrin e mbushjeve bërthamore që mund të dislokojnë SHBA apo Rusia. Kremlini tha të mërkurën se është i angazhuar për zgjatjen e traktatit dhe se mirëpret përpjekjet e administratës së Presidentit Biden për arritjen e një marrëveshjeje.

 

Tags