Janar 22, 2021 19:54 Europe/Tirane
  • Biden me masa të gjendjes së luftës kundër pandemisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, nënshkroi një mori urdhrash ekzekutivë, derisa shpalosi një strategji kombëtare kundër pandemisë së tërbuar të coronavirusit.

Dhjetë urdhrat, mes tjerash, synojnë t’i japin hov programit të vaksinimit, të zgjerojnë testimin dhe veshjen e maskave, si dhe të rrisin mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, që do të ndihmonin në krijimin e politikave. Udhëtarët nga jashtë do të duhet të kenë test negativ kundër coronavirusit dhe të futen në karantinë pas mbërritjes në SHBA. Biden po ashtu i udhëzoi agjencitë të përdorin Aktin e Prodhimit të Mbrojtjes – një kompetencë kjo e kohës së luftës, që e lejon qeverinë të udhëzojë industrinë për të prodhuar furnizime të nevojshme në kohë të emergjencës kombëtare. “Kjo është një ndërmarrje e kohës së luftës”, tha Biden derisa nënshkroi urdhrat në Shtëpinë e Bardhë. “Plani ynë nis me një fushatë agresive, të sigurt dhe efektive të vaksinimit, që synon përmbushjen e qëllimit tonë për administrimin e 100 milionë dozave në 100 ditët tona të para në zyrë”, tha Biden. Biden e ka bërë luftën kundër coronavirusit prioritetin e tij kryesor. Ndryshe nga paraardhësi i tij, Donald Trump, Biden planifikon të ketë strategji kombëtare, me përfshirje më të madhe të qeverisë federale, dhe jo t’ua lë shteteve veç e veç të vendosin se çfarë është më mirë. Biden i zvogëloi pritjet, duke thënë se situata ka të ngjarë të përkeqësohet përpara se të përmirësohet. Ai tha se numri i viktimave në SHBA mund të kalojë 500,000 muajin e ardhshëm. Biden tha se më shumë amerikanë kanë vdekur tashmë në pandemi, sesa gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore.

 

Tags