Mars 05, 2021 19:55 Europe/Tirane
  • Papa Françesku në Irak: “Të heshtin armët”

Papa Françesku bëri thirrje që armët të heshtin dhe ndërtuesit e paqes të merren parasysh.

Këtë thirrje, Papa Françesku e ka bërë të premten gjatë fjalimit të tij të parë në vizitën e tij historike në Irak, e para nga çdo papë. Duke ju drejtuar zyrtarëve të qeverisë, trupit diplomatik dhe autoriteteve civile në Irak, Papa Françesku tha: “Le të heshtin armët! Le të kufizohet përhapja e tyre, këtu dhe kudo! Mund të pushojnë interesat fraksionale, ato interesa të jashtme që nuk kujdesen për popullsinë lokale”. “Le të kemi vëmendjen ndaj ndërtuesve të paqes! Jepni një zë të vegjëlve, të varfërve, njerëzve të thjeshtë, të cilët dëshirojnë të jetojnë, të punojnë dhe të luten në paqe”, ka thënë më tej Papa Françesku, duke shtuar: “Mjaft me dhunë, ekstremizëm, fraksione, intolerancë!”. Papa ka thënë gjithashtu se bashkësia ndërkombëtare duhet të sigurojë ndihmë “pa imponuar ideologji”. Papa Françesku nisi vizitën katër ditëshe në Irak, duke thënë në prag të udhëtimit se ai po shkon si “pelegrin i paqes” në vendin me shumicë myslimane, të shkatërruar nga lufta. Papa, 84 vjeç, tha se do t’u shtrijë dorën “vëllezërve dhe motrave të feve të tjera”, ndërsa vuri në pah “çmimin e rëndë” që kanë paguar komunitetet e krishtera në Irak gjatë dekadave të kaluara. Komuniteti i krishterë irakian, që numëron 300,000 banorë, është një ndër më të vjetrit në botë.

 

Tags