Prill 21, 2021 20:56 Europe/Tirane
  • Çavusoglu: Turqia do të vazhdojë t'i përmbahet Konventës së Montrësë

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të mërkurën se Turqia do të vazhdojë t'i përmbahet me transparencë dhe paanësi Konventës së Montrësë, e cila përcakton regjimin mbi ngushticat e Stambollit dhe Çanakalasë.

“Në shekullin e kaluar, Deti i Zi nuk ishte kurrë një det i konfrontimit ushtarak, madje as gjatë Luftës II Botërore”, tha Mevlut Çavusoglu gjatë një uebinari të organizuar nga tri grupe studimore ndërkombëtare. “Arsyeja kryesore pas kësaj është ekuilibri delikat, i vendosur nga Konventa e Montrësë. Ne do të vazhdojmë ta zbatojmë atë në mënyrë transparente dhe të paanshme, siç kemi bërë që nga viti 1936”, shtoi ai duke iu referuar datës së themelimit të paktit në fjalë. Pasi rikujtoi konfliktin midis Azerbajxhanit dhe Armenisë në Karabakun Malor, i cili u ndez vjeshtën e kaluar duke treguar “se nuk ka konflikte të ngrira”, shefi i diplomacisë turke nënvizoi se konfliktet dhe krizat gjithashtu tregojnë rëndësinë e sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Detit të Zi. Konventa e Montrësë u nënshkrua në vitin 1936 duke i dhënë Turqisë kontrollin mbi ngushticat e saj dhe autoritetin për të rregulluar transitin detar të luftanijeve. Çavusoglu argumentoi, megjithatë, se kjo konventë e vetme nuk është e mjaftueshme për të mbajtur stabilitetin, pasi provokimet duhet të shmangen dhe palët duhet të punojnë shumë për të siguruar që “diplomacia dhe dialogu të mbisundojnë”.

 

Tags