May 06, 2021 20:51 Europe/Tirane
  • Blinken në Ukrainë mes tensioneve me Rusinë

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken viziton sot kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, ku do të takohet me Presidentin Volodymyr Zelenskiy, Kryeministrin Denys Shmyhal dhe Ministrin e Punëve të Jashtme Dmytro Kuleba.

Sipas një njoftimi për shtyp të Departamentit të Shtetit, Sekretari Blinken do të “nënvizojë mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës përballë agresionit të vazhdueshëm të Rusisë”. “Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për veprimet e vazhdueshme agresive të Rusisë dhe retorikën kundër Ukrainës, përfshirë praninë e rritur të trupave ruse në Krimenë e pushtuar dhe përgjatë kufijve të Ukrainës”, thuhet në deklaratën për shtyp. Deklarata shton se Shtetet e Bashkuara “vazhdojnë të monitorojnë nga afër situatën”. Në fund të muajit të kaluar, zyrtarë të lartë amerikanë dhe të Bashkimit Evropian thanë se rreth 150 000 forca ruse ishin mbledhur përgjatë kufirit të Ukrainës dhe në Krime. Sekretari Blinken pritet të ritheksojë se Shtetet e Bashkuara nuk do të njohin aneksimin nga Rusia të gadishullit të Krimesë në vitin 2014. Ai pritet të bëjë thirrje për rikthimin e rajonit tek Ukraina. Ai gjithashtu do t’i bëjë thirrje Rusisë të mbështesë angazhimet e saj sipas marrëveshjeve të Minskut për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainën lindore. Që nga viti 2014, Rusia ka mbështetur separatistët pro-rusë në rajonin lindor të Donbasit.

 

Tags