Shtator 26, 2021 20:20 Europe/Tirane
  • Ahmad Masud u drejtohet vendeve të botës: Mos i njihni talebanët

Kreu i Frontit të Rezistencës në Panjshir, Ahmad Masud i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mos njohë qeverinë talebane.

Udhëheqësi i Frontit të Rezistencës në Panjshir dhe djali i Ahmad Shah Masud, ish-komandanti ushtarak i opozitës ndaj talebanëve, akuzoi talebanët për kryerjen e veprimeve çnjerëzore dhe i bëri thirrje botës që të refuzojë njohjen e qeverisë talebane. Në një deklaratë të fundit, Masud akuzoi talebanët për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit, duke thënë se talebanët kishin kryer më shumë krime kundër njerëzimit në Kandahar, sesa në Panjshir. Masud tha se rezistenca e tij synon të sigurojë të drejtat e të gjithë popullit afgan. Ai gjithashtu paralajmëroi botën se aktiviteti terrorist do të përhapet në të gjithë botën dhe se vendet e botës nuk duhet të jenë vetëm vëzhgues të ngjarjeve në Afganistan. Më herët gjatë ditës, Masud bëri thirrje për formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse në Afganistan, duke thënë se një sistem që përfaqëson vetëm një pjesë të shoqërisë afgane do të ishte jopraktik dhe do të dështonte. Deklaratat e tij erdhën pasi një zëdhënës i talebanëve kishte thënë më herët se procesi i njohjes së qeverisë talebane do të fillonte së shpejti, duke cituar kërkesat e dërguara në Kombet e Bashkuara, si dhe lidhjet midis grupit Taleban dhe përfaqësuesve të disa vendeve.

 

Tags