Janar 13, 2022 19:51 Europe/Tirane
  • NATO dhe Rusia nuk arrijnë të kapërcejnë mosmarrëveshjet, dëgjohen më fort kambanat e luftës

Bisedimet e sigurisë NATO-Rusi përfunduan siç pritej pa hapa specifikë përpara të mërkurën, por me të dyja palët të gatshme të vazhdojnë të bisedojnë përmes tensioneve që vijnë pas një grumbullimi të trupave ruse në kufirin ukrainas.

“Dallimet tona nuk do të jenë të lehta për t’u kapërcyer, por është një shenjë pozitive që të gjithë aleatët e NATO-s dhe Rusia u ulën rreth të njëjtës tryezë dhe u angazhuan”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg pas gati katër orësh bisedimesh në selinë e aleancës në Bruksel. Moska nuk është e gatshme të angazhohet menjëherë për takime të reja me aleancën ushtarake perëndimore, por të paktën është e hapur për dialog, tha Stoltenberg. Ndërsa zëvendësministri i Jashtëm rus Aleksandar Grushko tha se NATO nuk ishte e gatshme të bënte lëshime apo të merrte parasysh interesat e sigurisë të shteteve të tjera. Një ndër kërkesat është që Ukraina të mos anëtarësohet kurrë në NATO. Rreth 100 mijë trupa ruse thuhet se janë grumbulluar pranë kufirit me Ukrainën, duke shkaktuar frikën e një pushtimi. Zëvendëssekretarja amerikane e shtetit, Wendy Sherman, ka paralajmëruar Rusinë se duhet të zgjedhë ose diplomacinë ose konfrontimin me Perëndimin. Ajo po fliste pas bisedimeve midis NATO-s dhe Rusisë, një nga tre ngjarjet diplomatike të kësaj jave që synojnë uljen e tensionit mbi Ukrainën. Sherman përsëriti se SHBA-ja dhe anëtarët e tjerë të NATO-s nuk do të pranonin kurrë të vënë veton ndaj pranimit të Ukrainës, duke theksuar se aleanca ushtarake kishte një politikë të dyerve të hapura. Qëllimi i anëtarësimit në NATO është pjesë e kushtetutës së Ukrainës. Moska dhe Uashingtoni veçse kanë theksuar dallimet e tyre “thelbësore” mbi sigurinë evropiane, gjatë bisedimeve më herët gjatë kësaj jave. Ambasadori i SHBA-së në OSBE tha se nuk pritet ndonjë përparim gjatë takimit që mbahet më 13 janar. “Nuk mendoj se do të ketë ndonjë rezultat konkret gjatë kësaj jave. Qëllimi ynë kryesor është që të ketë dialog”, tha ambasadori Michael Carpenter. “Po, pozicionet janë të kundërta, por kjo nuk do të thotë se nuk ka elemente dhe tema në të cilat ne nuk mund të pajtohemi”, shtoi ai për televizionin e pavarur rus, Dozhd. Megjithatë, ai paralajmëroi: “Ne po përballemi me një krizë në sigurinë evropiane. Kambana e luftës po tingëllon me zë të lartë dhe retorika është bërë mjaft e mprehtë". Ndërsa zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov tha se bisedimet me Perëndimin për situatën rreth Ukrainës kanë hyrë në një "fund pa krye" dhe se specialistët ushtarakë rusë po i ofronin opsione presidentit Vladimir Putin në rast se situata rreth Ukrainës përkeqësohej.

 

Tags