May 22, 2022 20:48 Europe/Tirane
  • Thellohet kriza ushqimore globale

Lufta në Ukrainë ka filluar të shkaktojë një krizë botërore për ushqime. Programi Botëror i Ushqimit (WFP) dëshiron ta parandalojë këtë krizë, por kjo është pothuajse e pamundur.

Ukraina është furnizuesi më i madh me ushqime i Programit Botëror të Ushqimit (WFP). WFP shpërndan ushqime për 125 milionë vetë në mbi 80 vende anembanë botës. Nëse arat në Ukrainë nuk punohen tani, nuk do të ketë korrje dhe eksportet e grurit përmes porteve të Ukrainës do të mbeten të bllokuara për shkak të luftës, situata për shumë shtete dhe zona krize do të bëhet shumë kritike. Sipas drejtorit të WFP, David Beasley, Afganistani, Egjipti dhe Siria janë veçanërisht të varura nga importet nga Ukraina. Miliona vetë janë në rrezik, paralajmëron ai. Rritja e çmimeve ka shkaktuar mungesa edhe në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Lindore, tha Beasley. "Tani po flasim për një konflikt në shportën e bukës në botë, sepse Ukraina prodhon ushqim për rreth 400 milionë njerëz në mbarë botën”, tha drejtori i programit të OKB-së. Edhe para sulmit rus në Ukrainë, çmimet e karburanteve, ushqimeve dhe plehrave janë rritur tepër. Me përshkallëzimin aktual, po përjetojmë "stuhinë e përsosur", tha David Beasley. Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) pret që çmimet e grurit të rriten me 85 përqind në mbarë botën për shkak të një korrjeje të dështuar në Ukrainë. Beasley llogarit se hendeku në financimin për ndihmën e organizatës së tij do të jetë midis tetë dhe nëntë miliardë dollarë në vit për shkak të rritjes së çmimit. E Agjencia e OKB-së vuan nga mungesa e vazhdueshme e parave, sepse nuk ka një buxhet fiks. Ajo mbështetet në donacionet e qeverive. Organizata Botërore e Tregtisë parashikon se lufta dhe sanksionet mund të përgjysmojnë vëllimin e tregtisë botërore. Evropa do të goditet rëndë, por efektet do të jenë dramatike për Lindjen e Mesme dhe Afrikën, ku do të ketë rritje masive të çmimeve për ushqimin dhe vajin. Kjo krizë e parashikuar ushqimore mund të çojë në lëvizje të reja refugjatësh. Edhe në Ukrainë, furnizimi me ushqim do të përkeqësohet gjithnjë e më shumë. Kjo është arsyeja pse Programi Botëror i Ushqimit po përgatitet të sigurojë ushqim për miliona njerëz në Ukrainë, një vend me tokën më pjellore në botë. "Si ta bëjmë këtë? A duhet të marrim diçka nga fëmijët e uritur në Afrikë për t'ua dhënë fëmijëve të uritur në Ukrainë? Apo anasjelltas?" pyeti David Beasley pas bisedimeve me përfaqësuesit e BE-së dhe Francës në Romë. Sidoqoftë, në botë po bie kambana e alarmit dhe duket se ky trend do të intensifikojë krizën ushqimore në botë, e cila do të sjellë vdekjen e mijëra njerëzve nga uria.

 

 

Tags