Shtator 21, 2022 20:01 Europe/Tirane
  • Putin mobilizon 300 mijë trupa dhe kërcënon Perëndimin

Presidenti Putin thërriti 300,000 trupa të tjera në luftën e Ukrainës, ndërsa akuzonte Perëndimin për përfshirje në shantazh bërthamor, duke paralajmëruar se Rusia ka shumë armë për t’u përgjigjur.

Në videon e tij më të fundit, Putin tha se “qytetarët e Donetskut, Luhanskut, Khersonit, Zaporizhzhias dhe rajoneve të tjera janë çliruar nga regjimi nazist i Kievit”. “Po flasim për hapat që do të mbronin sovranitetin tonë dhe të mbështesim ëndrrën dhe dëshirën e qytetarëve tanë që të vendosin për veten”, shtoi presidenti rus. Ai gjithashtu theksoi se vendet perëndimore po tentojnë të “bllokojnë” çfarëdo pavarësie apo zhvillimi, duke aluduar në paralajmërimet për referendume në rajonet e okupuara nga rusët dhe separatistët pro-rusë. Putin ka urdhëruar “mobilizimin e pjesshëm” të rezervistëve – duke theksuar se një dekret i tillë tashmë është nënshkruar. “Dua të theksoj se është mobilizim i pjesshëm. Vetëm ata që janë rezervistë do të pranohen”, shtoi Putin duke pranuar se mobilizimi do të fillojë nga sot. Putin madje ka kërcënuar duke thënë se nëse integriteti territorial i vendit të tij rrezikohet në çfarëdo forme, për ta mbrojtur Rusinë dhe popullin e saj do të përdorin të gjitha mjetet që i kanë në dispozicion. “Nëse integriteti territorial i vendit tonë rrezikohet, për të mbrojtur Rusinë dhe popullin e saj do të përdorim të gjitha mjetet që i kemi në dispozicion. Nuk është blof. Ju siguroj edhe një herë se integriteti territorial dhe liria jonë do të mbrohen me të gjitha mjetet që i kemi”, shtoi Putin. Ndërkohë, Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka bërë të ditur sot se Rusia do të fillojë menjëherë me mobilizimin e 300 mijë rezervistëve. “Rezervat tona në personel janë të mëdha dhe shkojnë në 25 milionë njerëz, e ky mobilizim paraqet një për qind të potencialit”, tha ministri rus i Mbrojtjes. “Nuk po luftojmë kundër Ukrainës, por kundër tërë Perëndimit”, shtoi Shoigu që konsiderohet si njeri i besuar i Putinit, dhe vazhdimisht tenton të mbulojë humbjet e ushtrisë ruse në Ukrainë. Madje deri më sot ai ka refuzuar të zbulojë shifrat e humbjeve, si në personel ushtarak ashtu dhe në makinerinë luftarake gjatë luftimeve të ashpra në Ukrainë.

 

Tags