Shtator 23, 2022 06:48 Europe/Tirane
  • NATO: Nuk do të njohim kurrë referendumet e rreme të Rusisë në Ukrainë

Aleanca ushtarake e NATO-s dënoi planet e Moskës për të mbajtur të ashtuquajturat referendume në rajonet e pushtuara të Ukrainës.

Aleanca u bëri thirrje të enjten të gjitha shteteve që të refuzojnë ato që i cilësoi si “përpjekje të qarta të Rusisë për pushtim territorial”. “Referendumet e rreme në rajonet e Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhias dhe Hersonit, nuk kanë legjitimitet dhe do të jenë shkelje flagrante e Kartës së Kombeve të Bashkuara”, tha NATO përmes një deklarate. Separatistët pro-rusë në këto katër rajone ukrainase njoftuan më 20 shtator se të ashtuquajturat referendume për bashkim me Rusinë do të mbahen nga 23 deri më 27 shtator. Një ditë pas njoftimeve për planet për mbajtjen e të ashtuquajturave referendume, presidenti rus, Vladimir Putin, e mbështeti mbajtjen e tyre. Katër rajonet ku janë planifikuar të mbahen votimet përbëjnë rreth 15 për qind të territorit të Ukrainës.

 

Tags