Shtator 23, 2022 20:51 Europe/Tirane
  • Hungaria: Sanksionet e reja ndaj Rusisë për naftën dhe gazin

Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto tha se vendi i tij kundërshton çdo sanksion të ri kundër Moskës, veçanërisht në sektorin e energjisë, dhe i konsideron ndalime të tilla si "një vijë e kuqe e qartë".

Szijjarto i bëri komentet të premten pas takimit me homologun e tij rus, Sergej Lavrov. “Qëndrimi ynë është shumë i qartë. Ne nuk shohim arsye të logjikshme për të diskutuar një paketë të re sanksionesh, veçanërisht kur bëhet fjalë për energjinë”, tha ai. Ai shtoi se “kjo është një vijë e kuqe e qartë e jona. Ne nuk duam që populli hungarez të paguajë një çmim për një luftë me të cilën nuk ka lidhje”, tha ministri i Jashtëm hungarez duke iu referuar konfliktit të vazhdueshëm midis Rusisë dhe Ukrainës. Szijjarto theksoi gjithashtu se kundërshton çdo vendim që është në kundërshtim me interesat kombëtare të vendit të tij. Duke iu përgjigjur kritikave ndaj tij për shkak të bisedimeve të tij me Lavrovin, ministri i Jashtëm hungarez tha se paqja nuk do të arrihet kurrë pa negociata dhe nëse negociatat nuk zhvillohen, bota mund të përballet me pasoja më të rënda. Ai paralajmëroi se ekonomia evropiane po shkon drejt stagnimit dhe muajt e fundit Evropa është përballur me një krizë serioze në fushën e energjisë, e cila është rezultat i sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Rusisë në sektorin e naftës dhe gazit. Hungaria është thellësisht e varur nga Rusia për gaz natyror. Ajo importon rreth 80 për qind të nevojave të saj për gaz përmes gjigantit rus të energjisë Gazprom.

 

Tags