Nov 13, 2019 20:27 Europe/Tirane
  • Vizita e Erdogan në SHBA

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan viziton sot Shtëpinë e Bardhë për bisedime me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump.

Dy udhëheqësit pritet të diskutojnë ndërhyrjen ushtarake turke në Sirinë veriore dhe blerjen nga Turqia të një sistemi rus të mbrojtjes ajrore. Axhenda e publikuar përfshin edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s kanë shprehur shqetësim të thellë për blerjen nga Turqia të sistemit rus të raketave S-400, duke thënë se ato nuk përputhen me sistemet mbrojtëse të aleancës, dhe se përbëjnë rrezik për programin amerikan të avionit luftarak F-35. Në përgjigje, Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar përfshirjen e Turqisë në programin e avionit F-35. Një zyrtar i lartë amerikan që foli për gazetarët përpara vizitës së Erdogan, tha se çështjen e sistemit të raketave Presidenti Trump do ta diskutojë drejtpërsëdrejti. “Siç e ka nënvizuar publikisht, ekzistojnë përfitime të jashtëzakonshme ekonomike në këtë marrëdhënie dypalëshe, një pjesë kyçe e së cilës janë avioni F-35 dhe roli i mundshëm i Turqisë në këtë program. Por, që të arrijmë aty, duhet të zgjidhim si aleatë çështjen e raketave S-400“, tha zyrtari. Megjithatë, presidenti turk nuk pritet të bëjë ndonjë lëshim në këtë drejtim. Para vizitës në SHBA, Recep Tayyip Erdogan tha sërish se do të vazhdojë me blerjen e sistemit mbrojtës S-400 nga Rusia, dhe do të bashkëpunojë me Moskën në prodhimin e sistemit S-500 në të ardhmen, përkundër presionit të Shteteve të Bashkuara kundër marrëveshjes.“Nuk vihet fare në pyetje që Turqia të bëjë ndonjë hap prapa për blerjen e sistemit S-400. Kjo është marrëveshje e përfunduar”, deklaroi presidenti turk. Erdogan shtoi se ka pritur që SHBA do të lejonin Ankaranë të bëhej pjese e prodhimit të aeroplanëve luftarakë F-35, në mes të kërcënimeve nga Uashingtoni se Turqia do të përjashtohet nëse blen sistemin mbrojtës rus. “Turqia ka porositur po ashtu 100 avionë për ushtrinë. Amerikanët po e kalojnë topin në mesfushë tani, duke shfaqur ngurrim. Por, herët apo vonë, ne do t’i marrim avionët. Nuk ka opsion tjetër”, shtoi Erdogan. Zëdhënësi i Presidentit Erdogan, Fahrettin Altun, tha në Twitter se Turqia ka qenë e qartë për arsyet e blerjes së raketave ruse. “Nevoja e Turqisë për një sistem mbrojtjeje me raketa është urgjente. SHBA-ja duhet ta pranojë këtë dhe të mos lejojë dëmtimin e marrëdhënies tonë. Pjesëmarrja e Turqisë në programin e avionit F-35 është jetësore për partneritetin tonë të mbrojtjes”, shprehej zotin Altun.  Një zyrtar i lartë amerikan tha se një tjetër prioritet i Presidentit Trump do të jetë situata në Siri, ku Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për një rishfaqje të mundshme të ISIS, si dhe për të parandaluar “mizoritë humanitare ndaj minoriteteve fetare dhe etnike”.Presidenti Trump pritet të flasë edhe për çështjet e të drejtave të njeriut në Turqi", shtoi ai.

 

Tags

Komente