Prill 05, 2020 18:28 Europe/Tirane
  • Pandemia frenon në Evropë, por jo në SHBA

Për herë të parë që prej datës 19 mars Italia shënon numrin më të ulët të viktimave dhe të infektuarve nga COVID-19.

Brenda 24 orëve të fundit janë regjistruar 525 viktima duke e çuar numrin në total në 15,887. Ndërkohë që numri total i të infektuarve ka shkuar në 128,948. Pozitiv ka qenë dhe numri i personave që janë në terapi intensive ku ka pasur ulje gjatë ditëve të fundit. Momentalisht 3,877 persona ndodhen në terapi intensive. Gjendja në Spanjë vijon të jetë e vështirë si pasojë e COVID-19. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 674 viktima, një numër ky që është në ulje në krahasim me ditët e mëparshme. Prej 3 ditësh numri it ë vdekurve në Spanjë ka qenë në rend zbritës duke dhënë një fije shpresë për përmirësimin e situatës. Numri total i viktimave është 12,418 ndërkohë që numri i të infektuarve ka kaluar për herë të parë dhe Italinë me 130,759 raste në total. Pavarësisht bilancit në ulje, kryeministri i vendit, Pedro Sanchez ka shtyrë sërish datën e masave izoluese deri më 26 prill. Ai u bën thirrje të gjithë shteteve evropiane se duhet një strategji e re për të luftuar koronavirusin. Edhe Mbretëria e Bashkuar është duke u përballur me një situatë të vështirë të shkaktuar nga COVID-19. Brenda 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë regjistruar 621 viktima duke e çuar numrin total në 4,934. Ndërkohë numri i të infektuarve tashmë është 47,806 personave. Shteti me bilancin më tragjik është Anglia ku vetëm ditën e fundit u regjistruan 555 viktima ku gjithsej numërohen 4,494 të vdekur. Të dhënat e regjistruara këtë të dielë në Mbretërinë e Bashkuar tregojnë një rënie të ulët të numrit të viktimave. Ditën e djeshme u regjistruan 708 viktima ndërkohë që të dielën 621. SHBA-ja shënoi numrin më të lartë të viktimave nga pandemia e COVID-19. Vetëm në 48 orët e fundit janë regjistruar mbi 2500 viktima në të gjithë vendin me një numër total prej 8503 viktimash. Këto të dhëna u publikuan nga universiteti John Hopkins. Ndërkohë numri i të prekurve është 312,245 duke shënuar kështu trefishin e rasteve të Kinës, Italisë dhe Spanjës. Shteti më i prekur në SHBA mbetet New York-u me 2,624 viktima në total.

 

Tags

Komente