Prill 09, 2020 19:25 Europe/Tirane
  • Sërish rritje e numrit të viktimave në Itali dhe Evropë

Italia vazhdon betejën e saj me koronavirusin.

Dita e sotme ka regjistruar një numër më të lartë viktimash e personash të infektuar se një ditë më parë, në periudhën kohore 24 orë. Sot janë regjistruar 610 viktima më shumë e numri i përgjithshëm i tyre ka arritur në 18 279. Gjithashtu janë regjistruar 4204 raste më shumë pozitive në 24 orë duke e çuar numrin total të tyre në 143 626. Por gjatë 24 orëve të fundit në Italia ka pasur 1979 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e tyre në 28 470. Ndërkohë, deri më tani në Spanjë janë shënuar 15,238 viktima nga koronavirusi dhe 152,446 persona janë infektuar. Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez pritet që të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme në vend deri në maj për të ndihmuar në kontrollin e përhapjes së koronavirusit. "Jam i bindur që brenda 15 ditësh do të duhet ta bëjmë sepse nuk do t'i kemi dhënë fund pandemisë," tha ai. Gjatë 24 orëve të fundit, 283 persona kanë humbur jetën për shkak të koronavirusit në Belgjikë, shifra më e lartë ditore që nga shpërthimi i pandemisë. Numri i vdekjeve është rritur në 2,523 persona, ndërsa janë konfirmuar 1.580 raste të reja të koronavirusit, duke e çuar numrin e të infektuarve në 24.983. Gjithsej, 5.590 pacientë janë nën trajtim në spitale, me 1.285 prej tyre në kujdes intensiv. Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar edhe 148 viktima nga Covid-19 në Holandë. Numri i përgjithshëm i vdekjeve ka shkuar në 2,396. Instituti shtetëror i shëndetësisë dhe mjedisit të Ministrisë holandeze të Shëndetësisë tha se janë regjistruar 1.213 raste të reja në 24 orët e fundit duke e çuar në 21.762 numrin total të të infektuarve.

 

Tags

Komente