May 23, 2020 09:29 Europe/Tirane
  • BE reagon ndaj vendimit të Amerikës për daljen nga traktati i Qiejve të Hapur

Shefi i politikës së jashtme të BE, Josep Borrel ka reaguar ndaj vendimit të Amerikës për daljen nga traktati i Qiejve të Hapur dhe ka kërkuar rishikimin e këtij vendimi.

Në kohën kur ne i kërkojmë Rusisë të kthehet menjëherë në procesin e zbatimit të plotë të këtij traktati, nga Amerika kërkojmë të rishikojë vendimin e saj, tha Josep Borrel. Presidenti Donald Trump tha të enjten se po tërheq Shtetet e Bashkuara nga Traktati ndërkombëtar 18-vjeçar i Qiejve të Hapur që lejon fluturime survejimi mbi vendet e tjera, për shkak se Rusia po e shkel atë. Traktati u ka mundësuar 35 vende të kryejnë fluturime përgjimi mbi territorin e njëri-tjetrit për të parë instalimet ushtarake, një përpjekje që synon paqeruajtjen ndërkombëtare. Por, Shtetet e Bashkuara pretendojnë se Moska ka shkelur traktatin duke ndaluar fluturimet mbi qytetin e Kaliningradit, në Detin Baltik dhe kufirin jugor të Rusisë pranë Gjeorgjisë; të dyja këto janë të lejuara sipas marrëveshjes. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper i tha Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit në mars se Rusia ka “mashtruar për shumë vite”. Rusia ka mohuar shkeljen e traktatit. Tërheqja nga Traktati i Qiejve të Hapur është lëvizja e fundit e Presidentit Trump gjatë presidencës së tij 3-vjeçare për të nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga marrëveshjet ndërkombëtare të miratuara nga presidentët e mëparshëm që ai i konsideron të padrejta ndaj interesave amerikane. Vitin e kaluar, Uashingtoni u tërhoq nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme me Rusinë, dhe më herët hoqi dorë nga marrëveshja ndërkombëtare e kontrollit të klimës në Paris, një traktat tregtie me vendet e Paqësorit dhe një marrëveshje me Iranin. Koncepti i traktatit të Qiejve të Hapur u avancua për herë të parë në dekadën pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore nga Presidenti Dwight Eisenhower. Bashkimi Sovjetik e hodhi poshtë idenë në atë kohë, por Shtetet e Bashkuara përsëri kërkuan një pakt në vitin 1989 nën Presidentin George H.W. Bush. Më në fund, traktati u miratua nga 20 vendet e kërkuara, në janar 2002.

Tags

Komente