May 23, 2020 09:30 Europe/Tirane
  • Zhvendoset qendra e Covid-19

Amerika e Jugut po kthehet me shpejtësi në epiqendrën e re të koronavirusit pasi numrat e përditshëm të infektimeve dhe vdekjeve atje, sa vjen e shtohen. Brazili është deri tani më i godituri, me mbi 300.000 raste e 20.000 vdekje.

Pas tij vjen Peruja, ku shifrat po lëvizin gjithashtu me shpejtësi shqetësuese dhe Kili, ku infektimet u trefishuan brenda një muaji. Ekuadori ka pasur edhe ai një shtim të rrufeshëm të rasteve. Por edhe pse shumica e vendeve të rajonit kanë marrë masa izoluese në një formë apo një tjetër, zbatimi i tyre lë për të dëshiruar e në shumë raste, rregullat injorohen. Në Brazil, presidenti Jair Bolsonaro i ka sfiduar shumë prej guvernatorëve të tij duke i nxitur t`i mbajnë qytetet hapur e duke argumentuar se rreziku që i kanoset ekonomisë, është më i madh se ai ndaj shëndetit publik. Edhe pse vetë është shfaqur me maskë këto javët e fundit, Bolsonaro refuzon t`i ndalojë tubimet masive të mbështetësve të vet, ku rregullat e distancimit social nuk janë zbatuar ndonjëherë. Kjo pavarësisht faktit se vendi ka arritur të shënojë më shumë se 10.000 infektime në ditë që nga fillimi i muajit, dhe shifrat vetëm sa rriten.

Tags

Komente