May 28, 2020 23:06 Europe/Tirane
  • Shkëputja e ekonomive të Kinës dhe SHBA-së nuk është e mirë për botën

Kryeministri kinez theksoi se Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të respektojnë interesat thelbësore të njëri-tjetrit dhe të përpiqen të zgjidhin dallimet mes tyre, duke paralajmëruar se përplasjet e vazhdueshme midis Pekinit dhe Uashingtonit do të dëmtojnë të dy palët.

Li Keqiang i bëri komentet gjatë një konference për shtyp të mbajtur pas seancës përmbyllëse të Kongresit Popullor të Republikës Popullore të Kinës - të enjten, duke paralajmëruar se një shkëputje e ekonomive të dy vendeve nuk është e mirë për botën. "Unë besoj që të dy vendet duhet të respektojnë njëri-tjetrin dhe të zhvillojnë një marrëdhënie në bazë të barazisë, të respektojnë interesat thelbësore të njëri-tjetrit të zgjidhin shqetësimet kryesore dhe të përqafojnë bashkëpunimin," tha Kryeministri kinez. Marrëdhëniet tashmë të tensionuara midis Pekinit dhe Uashingtonit janë përkeqësuar që nga shfaqja e pandemisë së COVID-19, me administratat e Presidentit Donald Trump dhe homologut të tij kinez, Xi Jinping, që kanë shkëmbyer vazhdimisht akuza për çështje që lidhen me pandeminë. "Bashkëpunimi midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara është i dobishëm për të dy palët, dhe përplasjet janë të dëmshme. Kjo nuk lidhet vetëm me interesat e dy vendeve, por edhe me botën. Prandaj, bota është e shqetësuar kur ndodhin këto probleme",shtoi Li. Ai pranoi se "konfliktet janë të pashmangshme", por theksoi se ajo që është e rëndësishme është mënyra se si të dy palët i trajtojnë këto konflikte.

 

Tags

Komente