Gusht 12, 2020 21:26 Europe/Tirane
  • Turqia dëshiron zgjidhje paqësore me Greqinë

Turqia dëshiron zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Greqinë përmes dialogut, ka thënë ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar.

Tensionet mes dy anëtarëve të NATO-s janë rritur qëkur Ankaraja filloi operacionet e kërkimit të naftës dhe gazit në një zonë të diskutueshme të Detit Mesdhe, të hënën. Greqia thotë se anija eksploruese e Turqisë – Oruc Reis – po operon në mënyrë të paligjshme në ujërat që bien në sferën kontinentale të Greqisë, akuza të cilat Ankaraja i ka hedhur poshtë. Anija turke shoqërohet nga disa anije luftarake. Edhe Greqia ka dërguar luftanijet e saj në rajon. “Ne duam të arrijmë zgjidhje politike përmes mjeteve paqësore në përputhje me ligjet ndërkombëtare”, i tha Akar, agjencisë Reuters. Akar tha se Turqia do të vazhdojë të mbrojë “të drejtat dhe interesat” e saj në ujërat bregdetare. Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias do të takohet të premten në Vjenë me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, për të diskutuar situatën e fundit. Të premten pritet të mbahet edhe një mbledhje urgjente online midis ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian të cilët do të diskutojnë për tensionet në rritje mes Greqisë dhe Turqisë. Greqia dhe Turqia kanë pasur tradicionalisht marrëdhënie të tendosura dhe kanë qenë në mosmarrëveshje për dekada të tëra për një sërë çështjesh. Të dyja vendet kanë qenë në prag të luftës tre herë, që nga mesi i viteve 1970, duke përfshirë edhe një herë mbi të drejtat e eksplorimit të pasurive nënujore.

 

Tags

Komente