Shtator 05, 2022 13:35 Europe/Tirane
  • Arbaini në kulturën islame (Emision special kushtuar Arbainit -1)

Ajatollah Khamenei: “Në thelb, rëndësia e Arbainit është se në këtë ditë, me planifikimin hyjnor të familjes së Profetit (s.a.v.s.), kujtimi i Lëvizjes Huseiniane u përjetësua përgjithmonë dhe u themelua kjo traditë.

Nëse të afërmit e dëshmorëve dhe bashkëvuajtësit në ngjarje të ndryshme - si martirizimi i Hussein bin Aliut (paqja qoftë mbi të) në ditën e Ashurasë - nuk do angazhoheshin për ruajtjen e kujtesës së kësaj ngjarjeje epike, brezat e ardhshëm nuk do të përfitonin shumë nga arritjet e martirizimit të Imam Huseinit”.

Dyzet ditë pas ngjarjes tragjike të Ashures dhe martirizimit të Imam Huseinit (a.s.) dhe shokëve të tij besnikë, karvani i të burgosurve të kësaj tragjedie të madhe u kthye në Qerbela. Pas një kohe të gjatë robërie, poshtërimi, mundimi dhe vuajtjesh, tani të mbijetuarit e asaj kryengritje epike e heroike kishin ardhur në varret e shenjta të të dashurve të tyre për të parë edhe një herë skenën e atij krimi mizor dhe për të vajtuar për ta.  Me këtë përshkrim, këta robër në dukje, të cilët udhëhiqeshin nga Imam Zain al-Abidin (a.s.) dhe Hazreti Zejneb (s.a.) motra e Prijësit të Dëshmorëve, ishin krenarë para dëshmorëve të tyre, sepse gjatë kësaj kohe, me vigjilencë, guxim dhe sakrifica, mundën të përcjellin te njerëzit mesazhin ndriçues të kësaj kryengritjeje hyjnore. Kjo ditë, 20 Safar e vitit 61 hixhri, quhet Arbain që nënkupton numrin dyzetë, sepse kishin kaluar dyzet ditë nga kryengritja e Huseinit në Qerbela. Çdo vit ata që janë të interesuar për Ehli Bejtin dhe udhëheqësit e asaj kryengritjeje epike, në përvjetorin e Arbainit, mbajnë një ceremoni zie, më e rëndësishmja dhe më madhështorja prej të cilave, pa dyshim, është marshimi i madh i të dashuruarve dhe vajtuesve të Huseinit (a.s) për në Qerbela. Miliona pelegrinë të pasionuar, të etur dhe të lirë nga vende të ndryshme, nga qytetet e Irakut, veçanërisht nga qyteti i shenjtë i Naxhafit, ku ndodhet varri i Hazreti Aliut (a.s), shkojnë në këmbë në Qerbela për të vizituar varrin e mrekullueshëm dhe të ndritur të Husein Ibn Aliut. (AS) në ditën e Arbainit.

Karvani i robërve të Qerbelasë u kthye në këtë tokën e shenjtë të Qerbelasë dyzet ditë pas Ashures, dhe shi'itët gjithashtu e njohin këtë ditë si Arbain dhe vajtojnë në këtë ditë. Në thelb, numri dyzet është një numër misterioz dhe i rëndësishëm midis numrave. Në Kuran dhe në hadithe ka referenca të ndryshme për këtë numër, nga totali i të cilave mund të konkludojmë se numri dyzet është simbol i evolucionit dhe pjekurisë dhe fillimi i një etape të re.

 Kur'ani në suren A'raf, ajeti 142, thotë: "Dhe Ne i premtuam Musait për tridhjetë netë; Pastaj e plotësuam me dhjetë netë. Në këtë mënyrë, caktimi i Zotit të tij përfundoi me dyzet netë".

Në këtë ajet, Zoti e konsideron të nevojshme një periudhë prej dyzet ditësh për shpalljen e Tevratit ndaj Moisiut. Ashtu si populli i tij, pasi refuzoi të hynte në Jeruzalem, u dënua të endet në tokë për dyzet vjet, në mënyrë që gjatë kësaj kohe të kuptonin gabimin e tyre dhe të pendoheshin. Në Islam mosha dyzet vjeçare konsiderohet mosha e zhvillimit dhe pjekurisë intelektuale të njeriut, pasi Profeti Muhamed (s.a.v.s.) u zgjodh për të qenë profet në moshën dyzetvjeçare. Pejgamberi në një hadith të bukur për sinqeritetin në vepër ka thënë: “Kush i bën dyzet ditë (besimin dhe veprat) të pastra për Zotin, Zoti do t’ia derdhë burimet e urtësisë nga zemra në gjuhën e tij”. Ky hadith ndriçues është bërë një udhërrëfyes i rëndësishëm për mistikët dhe ndjekësit e rrugës së lumturisë që të përpiqen t'i pastrojnë veprat dhe fjalët e tyre për Zotin e tyre brenda 40 ditëve për të arritur nivelet më të larta shpirtërore dhe të diturisë. Një hadith tjetër i famshëm i Pejgamberit, në të cilin theksohet numri dyzet është se: “Kushdo nga Umeti im që mëson përmendësh dyzet hadithe të nevojshme për njerëzit në çështjet e fesë, Zoti do ta ngrejë atë si jurist dhe dijetar në Ditën e Gjykimit". Ky hadith i vlefshëm ka bërë që dhjetëra libra që përmbajnë shpjegime të dyzet haditheve të shkruhen nga dijetarë të mëdhenj fetarë si Imam Khomeini (r.a), themeluesi i Republikës Islamike të Iranit.

Siç thamë, Arbaini çdo vit është ditë zie për adhuruesit e Ehli Bejtit (a.s) dhe vizitorët e Imam Huseinit (a.s) në Qerbela. Në thelb, nderimi i kujtimit të dëshmorëve, në çfarëdo mënyre, duke përfshirë edhe vizitën e varreve të tyre, është për të mbajtur gjallë rrugën e tyre krenare në luftën kundër shtypjes dhe padrejtësisë. Sigurisht, nëse ky martir, është Husein bin Ali (a.s.), pasardhësi i nderuar i të Dërguarit të Zotit (s.a.v.s.), i cili ra dëshmor në një mënyrë tepër tragjike dhe të dhimbshme së bashku me shokët e tij trima dhe të drejtë, atëherë vizita në faltoren e tij është shumë më tepër e rëndësishme dhe shumë më e dobishme. Për këtë, Imamët e nderuar gjithmonë e kanë theksuar këtë veprim të këndshëm dhe efektiv. Imam Sadiku (a.s) në lidhje me këtë thotë: “Kushdo që dëshiron të jetë pranë Pejgamberit të tij, Aliut dhe Fatimes (paqja qoftë mbi ta), të mos e braktisë vizitën e Imam Huseinit". Por është interesante të dihet se zija në ditën e 40-të të martirizimit është e rezervuar vetëm për Imam Husenin (a.s). Mbajtja e një ceremonie kaq të rëndësishme për vdekjen e Profetit dhe martirizimin e ndonjërit prej imamëve dhe shenjtorëve të tjerë hyjnorë nuk rekomandohet. Prandaj, pa dyshim, ka një urtësi dhe domethënie të veçantë në këtë ceremoni pasionante. Një nga arsyet më të rëndësishme për këtë është kryengritja madhështore dhe hyjnore e Imam Huseinit për të ringjallur Islamin dhe për të ekspozuar krimet dhe korrupsionin e qeverisë umajade. Në tekstet e homazheve të ndryshme për Prijësin e Dëshmorëve, kjo çështje është theksuar me tituj të ndryshëm. Në një transmetim nga Imam Sadiku (a.s.), thuhet: "Kur të vijë dita e Arbainit, dijeni pse jemi të përulur para Husein bin Aliut (a.s.). O Zot! Husein bin Ali (a.s.) këshilloi, ligjëroi, predikoi, shkroi letra, urdhëroi, por asnjë prej këtyre nuk funksionoi. Kur e pa se nuk kishte zgjidhje tjetër dhe se kjo punë kishte nevojë vetëm për gjak, ai dha edhe gjak në rrugën e Zotit".

Shejh Tusi, një nga dijetarët më të mëdhenj të botës islame, arsyen e mbajtjes së ceremonisë së Arbainit dhe mbajtjen e ceremonisë së zisë dhe vajtimit, e konsideron nderimin dhe ripërtëritjen e kujtimit të martirizimit të Imam Huseinit (a.s) dhe mbajtjen gjallë të mesazheve dhe të të vërtetave të Ashures nga familja e Profetit (s.a.v.s.). Ai gjithashtu i referohet transmetimit të Imam Sadikut, në të cilin thuhet se pas Ashures, për dyzet ditë qielli qau gjak për Huseinin (a.s), dhe toka qau me zi ​​dhe errësirë ​​për dyzet ditë dhe dielli qau me eklips dhe skuqje për dyzet ditë dhe engjëjt e qiellit qanë dyzet ditë. Nga ky këndvështrim, mund të thuhet se familja e Imam Huseinit (a.s.) duke organizuar ceremoninë e zisë dhe duke përkujtuar dëshmorët e Qerbelasë në Arbain, ringjallën edhe një herë idealet dhe synimet e tyre dhe nuk lejuan që ato të harroheshin me kalimin e kohës.  

Ajatollah Khamenei, Udhëheqësi i Revolucionit Islamik të Iranit, në plotësimin e këtij këndvështrimi, thotë: “Në thelb, rëndësia e Arbainit është se në këtë ditë, me planifikimin hyjnor të familjes së Profetit (s.a.v.s.), kujtimi i Lëvizjes Huseiniane u përjetësua përgjithmonë dhe u themelua kjo traditë. Nëse të afërmit e dëshmorëve dhe bashkëvuajtësit në ngjarje të ndryshme - si martirizimi i Hussein bin Aliut (paqja qoftë mbi të) në ditën e Ashurasë - nuk do angazhoheshin për ruajtjen e kujtesës së kësaj ngjarjeje epike, brezat e ardhshëm nuk do të përfitonin shumë nga arritjet e martirizimit të Imam Huseinit”.

Ai beson se gjatë dyzet ditëve pas martirizimit të dhimbshëm të Husein bin Ali (a.s.) dhe shokëve të tij të nderuar në Qerbela, Imam Saxhadi, Hazreti Zejneb dhe anëtarët e tjerë të familjes së Imamit martir ua përcollën mesazhin madhështor dhe hyjnor të kësaj lëvizjeje madhështore të gjithë njerëzve dhe sikur të mos ishte kështu, idealet dhe sakrificat e dëshmorëve të Qerbelasë nuk do të kishin shumë ndikim tek njerëzit dhe brezat e ardhshëm. Pra, Arbaini është i rëndësishëm sepse e ka realizuar në masë të madhe këtë fazë të ndjeshme dhe të vështirë. Në këtë mënyrë, duke marrë parasysh pozitën e numrit dyzet në kulturën islame dhe rëndësinë e madhe të kryengritjes së Ashures në ringjalljen e fesë islame, është e qartë se Arbaini luan një rol të rëndësishëm në prezantimin dhe promovimin e kësaj lëvizjeje dritëdhënëse.

 

Tags