May 10, 2021 12:10 CET
  • Ramazani në vende të ndryshme (Jordania)

Në këtë program, ne do të njihemi me zakonet jordaneze gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Jordania, zyrtarisht Jordania Hashemite, është një nga mbretëritë arabe në Azinë Perëndimore. Kryeqyteti i Jordanisë është Amani. Jordania ka një popullsi prej afro dhjetë milion banorësh. Feja zyrtare e Jordanisë është Islami.

Myslimanët jordanezë, ashtu si vendet e tjera islamike, i kushtojnë një rëndësi të veçantë muajit të shenjtë të Ramazanit. Netët e mbushura me njerëz, lutjet dhe atmosfera e veçantë shpirtërore, bujaria, falja dhe bekimet janë tiparet e këtij muaji të dashur në Jordani. Shoqëria jordaneze, si kombet e tjera myslimane në të gjithë botën, e respekton Ramazanin me respekt dhe vlerë të veçantë. Një javë para fillimit të këtij muaji të shenjtë, populli jordanez, nga ana fetare, psikologjike dhe materiale, nis rinovimin dhe pastrimin e xhamive të lagjes dhe dekorimin e hyrjeve të shtëpive të tyre dhe dritareve të banesave me drita ose fenerë dhe me shkrime të ajeteve nga Kurani i Shenjtë ose me pamje të gjysmëhënës duke përshëndetur kështu muajin e shenjtë të Ramazanit. Në dhjetë vitet e fundit, pritja e muajit të shenjtë të Ramazanit, dekorimi i rrugëve dhe ndriçimi i tyre është rritur ndjeshëm dhe përveç hyrjeve të shtëpive, rrugicat janë zbukuruar në forma të ndryshme. Këto drita dhe zbukurime qëndrojnë deri pas Fiter Bajramit.

Unë jam Ahmad Shahada, një biznesmen mysliman jordanez dhe do t'ju tregoj për vendin tim në muajin e Ramazanit. Në vendin tim, muaji i Ramazanit ndikon tek gjithçka. Duke parë pamjen e qytetit, lehtë mund të kuptohet se të gjithë po ndjekin zakonet dhe traditat e një rituali fetar. Në këtë muaj të shenjtë rrugët, dyqanet, restorantet dhe shtëpitë janë zbukuruar me drita të bukura dhe të ndritshme. Ndërsa familjet i kushtojnë shumë rëndësi mbledhjes së bekimeve të Ramazanit, në mesin e qytetarëve jordanezë fryma e bekimit dhe faljes është e bollshme. Çdo vit para muajit të shenjtë të Ramazanit, njerëz të pasur, organizata bamirëse, shumica e hoteleve me pesë yje, kompani, fabrika, si dhe Ministria e çështjeve fetare dhe zeqatit në Jordani, për familjet e varfra, jetimët dhe të pastrehët në të gjithë Jordaninëë shpërndajnë pako që përmbajnë ushqime dhe materiale konsumi, për konsum gjatë muajit të shenjtë.

Jordanezët, si vendet e tjera arabe, kanë mbajtur gjallë traditën e lashtë të "saharistit". Një saharist është dikush që i zgjon njerëzit në agim duke i rënë daulles. Ky është një nga zakonet më të vjetra të Ramazanit në botën arabe. Besohet se kjo traditë e lashtë i ka rrënjët në mësimet shpirtërore sufiste. Saharistët e parë datojnë në shekullin e nëntë pas Krishtit në Egjipt; Kur guvernatori, Ataba bin Ishak, doli në rrugët e Kajros për të zgjuar banorët para lindjes së diellit. Për breza të tërë, fëmijët në të gjithë Jordaninë dhe vendet e tjera arabe dalin nga shtëpitë e tyre dhe zgjojnë njerëzit duke i rënë daulles. Në vitet 1980 dhe 1990, kishte të paktën pesëqind saharistë në kryeqytetin jordanez, Aman.

Ne shohim dekorime në formën e hënës dhe yjeve kudo në qytet. Një nga profesionet e mia këtë muaj është blerja dhe shitja e sendeve të tilla dekorative. Kam filluar të shit-blej hënë dhe yje dy vjet më parë për t'i varur në rrugët dhe rrugicat e qytetit sipas interesave të fëmijëve të qytetit tim. Ky interes është i pranishëm tek të gjithë ne jordanezët dhe është interesante që me kalimin e kohës shumëllojshmëria e zbukurimeve është rritur dhe në muajin e Ramazanit ne madje  zbukurojmë edhe ushqimet me tipare të veçanta islame dhe llojet e ushqimeve që lidhen me Ramazanin janë llojet e hallvave, çokollata, ëmbëlsirat Data dhe Noj – të cilat zbukurohen me tipare të veçanta të Ramazanit siç janë forma e hënës dhe yllit.

Në librat historikë shkruhet se varja e qirinjve dhe fenerëve filloi gjatë epokës Fatime në Egjipt. Në atë kohë, grave nuk u lejohej të dilnin nga shtëpia natën, por gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, atyre u lejohej të dilnin nga shtëpia natën, me kusht që gratë dhe vajzat të mbanin fenerë për të mos humbur. Pastaj, gjatë Ramazanit, Fatimetë egjiptianë ndezën rrugët me fenerë dhe drita. Libra të tjerë historikë thonë se në ditën e pesëmbëdhjetë të Ramazanit në vitin 362 hixhri, Mu'izz al-Din al-Fatime shkoi në Kajro për ta bërë atë kryeqytetin e tij dhe njerëzit shkuan në shkretëtirën e Gizës me fenerë me ngjyra për ta përshëndetur atë dhe pastaj arritën tek pallati i Kalifatit. Që atëherë, feneri është bërë një nga manifestimet e muajit të shenjtë të Ramazanit. Me ardhjen e Ramazanit, popullariteti i blerjes dhe ndezjes së fenerëve dhe madje edhe përdorimi i qirinjve dhe fenerëve që ndizen me bateri është rritur. Nga ana tjetër, fëmijët janë më të interesuar të blejnë fenerë dhe drita sesa të rriturit. Kjo ka çuar në konkurrencë midis tregtarëve për të importuar fenerë nga vende të ndryshme si Egjipti, Kina dhe India me motive dhe dekorime të ndryshme islamike që rrjedhin nga kultura e Islamit dhe lindjes, kështu që disa prej këtyre dekorimeve janë në formën kurorave ose një xhamie.

Për të rritur interesin e fëmijëve në muajin e shenjtë të Ramazanit, ne përpiqemi të dekorojmë edhe tasat në të cilët japin ushqime ose sende të tjera ushqimore, gjë që shton lumturinë e fëmijëve. Kjo çështje ka një ndikim të madh në dimensionin psikologjik dhe arsimor të fëmijëve dhe i inkurajon ata të kryejnë këtë detyrë dhe u jep atyre një frymë të veçantë. Është e kuptueshme që edhe për mua është një biznes fitimprurës dhe i bekuar.

Në Jordani, ashtu si në shumicën e vendeve islamike, në këtë muaj të bekuar, restorantet dhe gjellëtoret publike nuk kanë të drejtë të ofrojnë ushqim për klientët gjatë ditës dhe kushdo që shihet duke ngrënë dhe duke pirë në vende publike gjatë ditës mund të burgoset deri pas festes së Fiter Bajramit.

Agjërimi gjatë Ramazanit nuk është i detyrueshëm në Jordani, por ngrënia gjatë agjërimit për ne është shumë e papëlqyeshme dhe njerëzit që nuk agjërojnë, në mënyrë që të respektojnë bashkëqytetarët e tyre, përmbahen nga ngrënia dhe pirja në publik gjatë ditës dhe e bëjnë këtë me shumë seriozitet. Në këtë mes, ka vetëm disa restorante dhe kafene që nuk janë të mbyllura.

Familjet mblidhen për Iftar dhe njerëzit që nuk agjërojnë gjithashtu mund të bashkohen me ta. Në Jordani, iftari që ndahet shpesh me familjen dhe miqtë, është i pasuar nga ëmbëlsirat, çaji, kafe arabe dhe arqileja. Edhe pse kjo mund të duket si fundi i ditës, por në Ramazan duket se është fillimi i ditës. Agjëruesit që tani kanë ngrënë iftar dhe kanë mbaruar vaktin e tyre, është koha të shkojnë në restorante dhe kafene dhe të kalojnë një natë të lumtur me anëtarët e familjes. Gjatë Ramazanit, nuk është e pazakontë që njerëzit të qëndrojnë jashtë shtëpisë për orë të tëra dhe kjo rrjedhë përsëritet edhe pas saharit.

Këtë muaj, ne njerëzit e Jordanisë vizitojmë të mëdhenjtë e familjes, takojmë njëri-tjetrin dhe vendosim tryeza iftari midis njerëzve të komunitetit. Ne, familjet jordaneze që agjërojnë, jemi mësuar të vendosim të gjitha llojet e gurabijeve, ushqimeve, ëmbëlsirave dhe shurupeve në tryezën tonë çdo ditë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit për Iftar dhe Sahar ose ftesat e Iftarit që mbajnë të tjerët. Nëse dua të përmend ushqimet e famshme të vendit tonë, së pari duhet të përmend Falafelin( lloj sandviçi), i cili është shumë i pëlqyer. Një tjetër është ushqimi Mansaf, i cili është një tas i madh i mbushur me mish qengji dhe feta të holla erëza aromatike. Konafa është gjithashtu një ëmbëlsirë me shtresa mes të cilave ka djathë ose krem.

Pasuesit e feve të tjera që jetojnë në paqe dhe bashkëjetesë me myslimanët jordanezë gjithashtu mund të marrin pjesë në ceremonitë fetare të Iftarit dhe Saharit dhe myslimanët mund t'i shoqërojnë ata në festimet e Krishtlindjeve. Gjatë Ramazanit dyqanet e alkoolit në të gjithë Jordaninë mbyllen. Megjithëse hixhabi nuk është i detyrueshëm në Jordani, shumë gra zgjedhin hixhabin lirshëm dhe shumica e grave jordaneze mbajnë hixhab. Ramazani përfundon me festën e Fiter Bajramit.

Fiter Bajrami është shumë i rëndësishëm për ne jordanezët; Ne gjithashtu kemi rituale të veçanta për Fiter Bajramin. Njerëzit i zbukurojnë dyert e tyre me shumë entuziazëm. Dhomat e festave janë pastruara dhe zbukuruara. Tregjet lulëzojnë përsëri. Njerëzit vijnë në treg për të blerë rroba të reja, ëmbëlsira dhe fruta të thata. Restorantet rihapen për të argëtuar njerëzit. Vizitat fillojnë përsëri. Ne vizitojmë pleqtë dhe shkojmë në varreza në përkujtim dhe respekt të të dashurve dhe i përgëzojmë ata duke lexuar lutjen e Fiter Bajramit. Festa e Fiter Bajramit është shpallur një festë zyrtare për ne ku në të gjithë vendin është pushim për tre ose katër ditë; Edhe gazetat që botohen gjatë gjithë ditëve të vitit nuk botohen gjatë festës së Fiter Bajramit. Puna, ndjekja e lajmeve dhe e shqetësimeve gjatë kësaj feste lihen mënjanë nga ne dhe ne i përqendrojmë mendjet dhe shpirtrat tanë në gëzim dhe lumturi. Gëzimi që ndihet edhe më shumë pas një muaji bindjeje në Ramazan.

Tags