Shtator 05, 2022 13:32 Europe/Tirane
  • 'Kjo është puna e anglezëve': Dita Kombëtare e Luftës Kundër Kolonializmit Britanik

12 Shahrivari 1294 (3 shtator 1915) është përvjetori i martirizimit të Rais Ali Delvarit, udhëheqësit të madh të luftës anti-koloniale në Iranin jugor dhe në Iran kjo ditë është shënuar si Dita Kombëtare e Luftës Kundër Kolonializmit Britanik.

Rais Ali Delvari (1882-1915) ishte një liridashës dhe udhëheqës i kryengritjes në jug të Iranit në Tangestan dhe Bushehr kundër forcave pushtuese dhe kolonizuese të britanikëve në Luftën e Parë Botërore. Në fillim të Luftës së Parë Botërore, forcat ruse nga veriu dhe forcat britanike nga jugu kryen një agresion masiv kundër Iranit dhe luftanijet britanike u ankoruan në Bushehr, por forcat pushtuese, të cilat synonin të pushtonin Bushehrin dhe zonat bregdetare përreth, u përballën me rezistencën e populli i këtij qyteti. Që nga marrëveshja e vitit 1907, Anglia e konsideronte Iranin jugor si pjesën e saj. Në vitin 1915, kur bota u përfshi në Luftën e Parë Botërore, Anglia e pa situatën globale si të përshtatshme për pushtimin e rajonit jugor të Iranit. Qëllimi britanik i këtij operacioni ushtarak ishte të parandalonte depërtimin e rivalëve përfshirë Gjermaninë, si dhe të shtypte fiset nomade të jugut dhe të kontrollonte Gjirin Persik. Për të arritur qëllimet e saj, Britania filloi pushtimin e Iranit në mars të vitit 1915 me pretekstin e lidhjes midis Konsullatës Gjermane në Bushehr me banorët e Tangestanit për t'i nxitur ata kundër Anglisë. Ky veprim zemëroi banorët e rajonit dhe pakënaqësia publike ndaj agresionit britanik u përhap gjerësisht. Për të treguar zemërimin e tyre, disa forca popullore të udhëhequra nga Rais Ali Delvari sulmuan britanikët dhe interesat e tyre në Bushehr dhe u dhanë një goditje të efektshme pushtuesve. Britanikët kryen sulme të papritura edhe në fshatrat përreth Bushehrit, duke vrarë shumë njerëz, ndërsa dogjën dhe shkatërruan pronat e tyre. Kjo sjellje e shëmtuar e britanikëve nuk mbeti larg syve të Ajetollah Sejed Abdullah Baladi, njërit prej dijetarëve të njohur të rajonit dhe e detyroi atë të kundërshtojë dhe të luftojë në masë kundër anglezëve. Për ta bërë betejën e tij më efektive, ai krijoi një marrëdhënie të veçantë me Rais Ali Delvari dhe e ndihmoi atë në lëvizjet anti-britanike. Shtëpia e Ajatollah Baladiut u bë qendra e luftës kundër kolonializmit britanik dhe përveç ndalimit të blerjes dhe shitjes së mallrave britanike, ai shpalli xhihad kundër Britanisë për të kundërshtuar ekspansionizmin britanik. Nën udhëheqjen e Rais Ali Delvarit, Tangestanasit i shkaktuan britanikëve goditje vdekjeprurëse në sulme efektive dhe në një nga këto sulme, Delvari vrau dy oficerë të lartë britanikë së bashku me njëmbëdhjetë ushtarë indianë. Kjo fitore ishte shumë e vlefshme sepse reduktoi frikën e njerëzve ndaj britanikëve dhe bëri që madhështia e këtij armiku agresiv në opinionin e popullit iranian të thyhej. Më në fund, më 12 Shahrivar 1294 (3 shtator 1915), Delvari u martirizua në një konflikt me ushtarët pushtues anglezë në Bushehr në moshën 33 vjeçare. Ai duhet të quhet udhëheqësi i madh i lëvizjes së rezistencës në Iranin jugor kundër kolonializmit britanik dhe një simbol i rezistencës dhe anti-kolonializmit. Në njohje të rezistencës dhe trimërisë së popullit të Iranit jugor kundër kolonialistëve dhe armiqve agresorë, veçanërisht kolonialistit të vjetër, Anglisë, në kalendarin e Republikës Islamike të Iranit kjo ditë është emëruar si Dita Kombëtare e Luftës Kundër Kolonializmit Britanik.

Një përmbledhje e historisë së kolonializmit britanik

Historia e pranisë britanike në Iran fillon në periudhën Safavide. Në këtë periudhë, megjithëse Anglia nuk ishte në gjendje të përballej me portugezët për shkak të mungesës së një marine efikase, kjo nuk i detyroi britanikët të hiqnin dorë nga Irani. Sepse kapacitetet e mëdha të Iranit dhe pozicioni strategjik i këtij vendi në rajon i bënë ata të mendojnë të depërtojnë në Iran në mënyra të tjera. Në fillim të themelimit të dinastisë Kaxhar, britanikët gjetën një nxitje shtesë për të vepruar në Iran. Në këtë periudhë, studimet e gjera të shoqërisë iraniane, u vunë në rendin e ditës së britanikëve, ku John Malcolm luajti një rol vendimtar në fillimin e këtij procesi që më vonë u përfundua nga zyrtarë të tjerë britanikë.  John Malcolm ishte një diplomat ushtarak që erdhi në Iran tre herë si agjent i qeverisë britanike nga viti 1800 deri në 1810. Që nga fillimi i luftërave ruso-iraniane deri në fund të periudhës së dinastisë Pahlavi, britanikët luajtën një rol potencial dhe aktiv në Iran. Politika e jashtme britanike në Iran gjatë epokës së dinastisë Kaxhar u ndikua nga disa faktorë themelorë. Sipas interesave të saj në Indi, Anglia përfitonte nga çdo taktikë. Prandaj, Irani u konsiderua gjithmonë nga britanikët si porta për në Indi. Në fakt, dominimi i Iranit çoi në vazhdimin e dominimit mbi Indinë dhe mbajtjen e Rusisë larg nga tokat koloniale britanike. Për këtë arsye edhe Anglia donte një Iran të dobët dhe gjysmë të pavarur. Përpjekjet për të ndarë Afganistanin nga Irani, ndryshimet e shpeshta në linjat kufitare të Iranit në lindje, mbështetja e ligjeve lokale, kontrolli i pakushtëzuar mbi Gjirin Persik, marrja e privilegjeve ekskluzive si transporti detar, krijimi i Bankës Mbretërore, telegrafi dhe kapitullimi, ishin disa nga veprimet kolonialiste të britanikëve në Iran.

Anglia konsiderohet gjithashtu si arkitektja kryesore e pushtimit të Iranit në Luftën e Dytë Botërore. Irani ashtu si në Luftën e Parë Botërore, shpalli neutralitetin në Luftën e Dytë Botërore, por me pretekstin e ndikimit gjerman u sulmua dhe u pushtua sërish nga britanikët. Winston Churchill, kryeministri i Anglisë në atë kohë, në kujtimet e tij mbi arsyen më të rëndësishme të këtij pushtimi shkroi si vijon: “Krijimi i një rruge komunikimi me Rusinë përmes Iranit ishte jashtëzakonisht e rëndësishme. Sepse nga njëra anë, Oqeani i Ngrirë i Veriut ishte një mënyrë e vështirë për të dërguar armë dhe municione luftarake në Bashkimin Sovjetik, dhe nga ana tjetër, ne duhej të përgatiteshim për mjetet e mundshme të nevojshme. Puset e naftës të Iranit u konsideruan një faktor i rëndësishëm në këtë luftë. Për të kontaktuar me rusët dhe për të krijuar një marrëdhënie më të ngushtë, ne propozuam të fillojmë një operacion të përbashkët në Iran".

Një tjetër ndërhyrje e britanikëve që mbetet ende në mendjet e popullit iranian është projektimi dhe ekzekutimi i një grushti shteti kundër qeverisë demokratike të krueministrit Mohammad Mosadeg më 19 gusht 1953. Britanikët, me bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara dhe gjithashtu me shpresën për të rifituar naftën iraniane, projektuan këtë grusht shteti dhe e ekzekutuan me ndihmën e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara. Pas këtij grushti shteti , filloi një periudhë tjetër e zezë në historinë e Iranit, e cila vazhdoi për 25 vjet, dhe gjatë kësaj periudhe Anglia kaloi gradualisht mënjanë dhe ia la vendin Amerikës. Historia e ndërhyrjeve britanike në Iran tregon se ky vend ka përdorur më së shumti të ashtuquajturën "politikë përça e sundo" në politikën e tij koloniale duke krijuar mosmarrëveshje midis popujve, vendeve, liderëve, rrymave fetare dhe politike, sekteve fetare dhe etnike dhe racore. Nisur nga kjo, në mendjet e popullit iranian është formuar një opinion negativ ndaj qëllimeve dhe veprimeve të britanikëve, gjë që i bën iranianët të bindur se pas çdo komploti fshihet dora e anglezëve. Jack Straw, ministri i Jashtëm britanik gjatë viteve 2001 deri në 2006, në librin 'Kjo është puna e anglezëve', ka trajtuar opinionin e përbashkët mes iranianëve se në çdo komplot kundër Iranit është e përfshirë Britania. Libri "'Kjo është puna e anglezëve': pse Irani nuk na beson?", është një libër, titulli i të cilit i kujton audiencës iraniane romanin "Daja i dashur Napoleon" shkruar nga Iraxh Pezeshkzad dhe serialin e krijuar nga Naser Takvai bazuar në këtë roman, sepse “Kjo punë është vepër e anglezëve” ishte motoja e dajës së Napoleonit, i cili ishte i bindur se çdo komplot dhe intrigë thurej nga mendja e britanikëve.

 

 

Tags